Komuna tha se shkaktar për rënien e kulmit ishin erërat e forta, por IHMK thotë se era ishte mesatarisht e fortë

Pas interesimit të KALLXO.com, Instituti Hidrometeorolgjik i Kosovës (IHMK) ka ndarë të dhënat e shpejtësisë së erës në kohën kur u shembë kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës.

Nga IHMK kanë deklaruar se shpejtësia e erës e regjistruar në atë kohë, sipas parametrave të tyre, ka qenë 9.8 m/s (meter/sekond) që do të thotë se ka qenë erë mesatarisht e fortë.

Ndërsa, dëmet që mund të shkaktohen si pasojë e kësaj shpejtësie, sipas IHMK, janë se drunjtë e vegjël me gjethe fillojnë të tunden, lëvizin flamuj e të ngjashme.

“Shpejtësia e erës e regjistruar dje 9.8m/s, i përgjigjet shkalles së Boforit 5 që d.m.th. erë mesatarisht e fortë (drujtë e vegjël me gjethe fillojnë të tunden, lëvizë flamuj e të ngjajshme), që d.m.th. se kjo shpejtësi e regjistruar me datën e lartëcekur nuk mund të shkaktoj kurrfarë dëme” – kanë njoftuar nga IHMK.

IHMK tutje potencon se dalin me njoftime për popullatën kur forca e erës është 7 bofora e më shumë, sepse forca e erës vlerësohet me 13 shkallë të Boforit.

Besim Aliu, Koordinator dhe Parashikues i Motit në IHMK tha se stacioni automatik regjistron vlerat e shpejtësisë së erës çdo 5 minuta.

Sipas institutit, vlen të ceket se stacioni regjistron shpejtësitë çdo 5min, gjë që le të nënkuptoj se brenda këtij intervali mund të ketë ndodhur ndonjë shpejtësi më e madhe dhe stacioni nuk e regjistron.

Në anën tjetër, IHMK ka theksuar edhe ndikimin e parametrit të presionit atmosferik ditën e djeshme.

“Duhet cekur edhe parametrin e presionit atmosferik i cili ishte 935hpa (mb) që nënkupton se i gjithë territori dje ishte në ndikimin e fushave ciklonike të cilat në intervale të shkurta kohore mund të sjellin destabilizim të motit. Kishte reshje shiu të përcjellura me shkarkime elektrike nga vranësirat Cb ( Cumoloninbus calvus)” – kanë thënë nga IHMK.

Një 23-vjeçare ka pësuar lëndime të rënda gjatë ditës së enjte pasi e kishin zënë rrënojat e një pjese të kulmit të objektit të komunës në lagjen ‘Arbëria’ në kryeqytet.

Për këtë, komuna e Prishtinës shkaktarë bëri erërat e forta.

Objekti i ri i komunës është ndërtuar në vitin 2009.

Cilat janë erërat e forta dhe çfarë dëme shkaktojnë ato?