'Mos rrej', 'Bonu burrë', 'Edukata familjare” – Replika të ashpra mes ministrit Murati e deputetes Bajrami

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme u bë temë për një debat në mes ministrit të Financave, Hekuran Murati e deputetes nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Pas prezantimit të këtij ligji nga ministri Murati, deputetja Bajrami mori fjalën duke e komentuar punën që ministri i Financave ka bërë përgjatë mandatit të tij.

Sipas ministrit Murati projektligj në fjalë ndryshon dhe plotëson ligjin bazik në mënyrë që fillimisht të plotësohet ajo falja deri në 100 euro për faturat e vitit aktual në mënyrë që, sipas tij të lehtësohet barra për qytetarët.

Pas fjalës së tij, deputetja Bajrami tha se Qeveria me vlerësimin që e bëri, sipas saj arriti që të rris vlerën e pronave në kushte inflacioni deri në 100%.

“Që nga fillimi ne si Grupi Parlamentar i LDK-së kemi propozuar që një vlerësim i tillë të pezullohet dhe tatimi në pronë të faturohet sipas vlerësimeve të mëparshme, mirëpo kjo nuk ndodhi” – tha ajo.

Gjatë fjalës së saj, deputetja pretendoi se Ministri Murati i tha “Mos rrej!”

“Mos më flitni mbrapa se mund ta keni fjalën, kryetar a po e dëgjon. Kryetar ministri Murati sapo e përmendi fjalën “mos rrej” e unë nuk jam duke rrejt se janë videot” – tha Bajrami.

Tutje ajo tha se ministri Murati ka propozuar që mund të falën nga 100 euro nga kuvendet komunale dhe se ai e ka shtyrë Kuvendin Komunal të Gjilanit të marr një vendim të tillë.

“Mandej je kthy në zyrë të kanë tregu ekspertët ligjor se një gjë e tillë nuk bëhet je ul e ke bë ligjin. Unë nuk po rrej, nëse dikush po rren këtu ai jeni ju edhe përderisa kryetari i kuvendit nuk ta tërheqë vërejtjen mua më lejohet të kundërvihem me gjuhën e njëjtë përndryshe nuk është në kulturën time që me i thanë dikujt mos rrej” – shtoi Bajrami.

Gjatë deklarimit, deputetja Barjami tha se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se ministri i Financave 180 projekte ia ka bllokuar.

E për këtë, ministri i financave prej karriges së tij dëgjohet duke thënë “ka rrejt”. Kjo bëri që deputetja nga radhët e LDK-së t’i drejtohet kryetarit të kuvendit duke i thënë “kryetar a po ia dëgjon gjuhën”.

“Ministër ju lutem, le të vazhdon fjalën deputetja, mos i ndërhyni njëri-tjetrit” – ishte krejt ajo që tha kryetari Konjufca.

Me këtë u pajtua edhe deputetja Bajrami, e cila tha se pasi ta përfundoj fjalën ajo, mund të flas ministri Murati.

“Mundet me dalë, me përdor fjalën rrenë, e rrencan e rrencejk e ashtu qysh e ka edukatën familjare. Mirëpo unë nuk jam duke rrejt” – tha deputetja.

Pas saj, në foltoren e kuvendin doli prapë ministri i Financave. Ai tha se kërkoi fjalën për disa sqarime në lidhje me disa gjëra të pasakta që sipas tij u thanë sa i përket projektligjit në fjalë.

“U tha se po dyfishohet apo po rritet tatimi, është e pavërtetë” – tha ai.

Pas ministrit, një replikë pati prapë deputetja Bajrami e cila tha se ministri është mirë që kur del para mikrofoni me i përdor ato fjalë që i përdor pa mikrofon.

“Kështu që bonu burrë fjalën që e thu pa mikrofon thuaje edhe me mikrofon, mos u fsheh” – shtoi ajo.

Ministri Murati më pas në replikën e tij tha se është e papranueshme që të përdoret gjuhë seksiste në kuvend dhe se pret që grupi i grave deputet të reagojë ndaj kësaj qasje.