Adem Morina - Drejtor i Kulturës në Komunën e Prizrenit

Morina: Projektet e organizatave rinore kanë tematikë parandalimin e ekstremizmit por jo fokus të veçantë

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prizrenit, Adem Morina, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për projektet e organizatave joqeveritare që subvencionohen nga komunat.

Morina ka thënë se projektet e organizatave e rrjeteve rinore kanë tematika për mbrojtje të ekstremizmit por nuk kanë fokus të veçantë apo përmbajtjesor.

Ai ka thënë se Komuna e Prizrenit do të mbështesë organizatat që kanë projekte për parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit.

“Pa dalë me një analizë të ekspertëve të fushës së caktuar të ekstremizmit nuk kemi të drejtë të bëjmë thirrje ne që të aplikojnë ata për këto projekte. Por jemi pro mbështetjes së secilës organizatë që ka të bëjë me emancipimin, qoftë me fushat edukativo-arsimore, qoftë në mbrojtje të ekstremizmit jemi pro dhe do ta mbështesim secilën”- ka thënë Morina.

Morina tutje ka thënë se Komuna e Prizrenit ketë vit ka ndarë 800  mijë euro për subvencionin të OJQ-ve.

“Planifikojmë që në fazën e dytë të hapim edhe një thirrje ngaqë njëri prej prioriteteve është për kulturë, rininë dhe sportin në Prizren. Parashihet të kalojë mbi 1 milion euro ketë vit mbështetja financiare për këto organizata joqeveritare” – ka thënë tutje ai.

Morina ka thënë se të gjitha organizatat që kanë aplikuar me projektet e tyre parashihet të bëjnë aktivitet njëvjeçar.

“Ka më pak se dy javë që ka përfunduar lista për fituesit dhe akoma s’kanë filluar me aktivitete dhe e kemi planin që do të jemi në monitorim të tyre” – ka shtuar ai.

Ai ka thënë se kjo Komunë ka paraparë që subvencionet nga 1 milion të rriten në 1 milion e 300 mijë euro vitin tjetër.

Sipas Morinës, Prizreni sa u përket aktiviteteve kulturore është komuna e parë në Kosovë.