Moldavia dëbon 45 diplomatë rusë dhe personel të Ambasadës ruse

Moldavia u ka dhënë urdhër 45 diplomatëve rusë dhe personelit të ambasadës që të largohen nga ky vend “për shkak të veprimeve të shumta jomiqësore”, thanë zyrtarët moldavë të mërkurën, me tensionet mes dy vendeve në rritje e sipër. Qeveria pro-BE e Moldavisë ka dënuar me vendosmëri pushtimin e Rusisë në Ukrainën fqinje dhe ka pretenduar për një komplot rus për ta përmbysur qeverinë aktuale.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim:

Zyrtarë të NATO-s thanë të mërkurën se NATO po e rrit mbikëqyrjen e rajonit të Detit të Zi pasi dënoi largimin e Rusisë nga marrëveshja përmes së cilës sigurohej kalimi i sigurt i anijeve që transportonin grurë ukrainas. Ky njoftim u bë pas një takimi të Këshillit Nato-Ukrainë, një organ i krijuar në fillim të këtij muaji për ta koordinuar bashkëpunimin midis aleancës ushtarake perëndimore dhe Kievit.

Kremlini zyrtar ka thënë se është e pamundur që Rusia të kthehet në marrëveshjen e eksportit të grurit në Detin e Zi për momentin, pasi një marrëveshje që lidhet me interesat ruse “nuk po zbatohet”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve, megjithatë, se Vladimir Putin e ka bërë të qartë se marrëveshja mund të ringjallet nëse respektohet pjesa e saj e përqendruar në Rusi.

Autoritetet ruse thanë të mërkurën se vetëm 17 krerë shtetesh afrikane do të marrin pjesë në samitin Rusi-Afrikë të kësaj jave. Kjo është shumë më pak se në konferencën e tij të vitit 2019 ose në samite të ngjashme të mbajtura diku tjetër, duke përfshirë një takim në dhjetor me presidentin amerikan Joe Biden, ku dhjetëra liderë afrikanë fluturuan në Uashington DC për të marrë pjesë.

BE njoftoi një ndalim të eksporteve të pajisjeve të fushëbetejës dhe pjesëve të aviacionit në Bjellorusi. Spanja, kryesuesi aktual i BE-së, tha në një postim në mediat sociale se sanksionet e reja ishin një përgjigje ndaj “situatës në Bjellorusi dhe përfshirjes së Bjellorusisë në agresionin rus kundër Ukrainës”.

Ukraina do t’i shpenzojë 1 miliard dollarë për prodhimin vendas të dronëve këtë vit. Kryeministri, Denys Shmyhal njoftoi se 40 miliardë hryvnia (1.08 miliardë dollarë) do të investohen në prodhimin vendas të dronëve.

Forcat e armatosura ruse pretendojnë se kanë goditur një depo të karburantit dhe qendër trajnimi në Ukrainë në Donetsk. Suspilne, transmetuesi shtetëror i Ukrainës, gjithashtu raportoi se “gjatë natës dhe mëngjesit të 26 korrikut, ushtria ruse bombardoi gjashtë komunitete të rajonit Sumy”.

Një dështim prej një dekade nga qeveria britanike ka lejuar që rrjeti ëagner të rritet, duke i përhapur tentakulat e tij thellë në Afrikë dhe duke i shfrytëzuar vendet e cenueshme, sipas një raporti shumë kritik nga komiteti i përzgjedhur i punëve të jashtme të Mbretërisë së Bashkuar. Ai i bëri thirrje qeverisë ta ndalojë grupin ëagner në Mbretërinë e Bashkuar dhe të bëjë një përpjekje shumë më të përbashkët për ta ndaluar përdorimin e qytetit të Londrës si një qendër financiare.

Presidenti Vladimir Putin po planifikon ta vizitojë Kinën në tetor, sipas një njoftimi të lëshuar nga Kremlini zyrtar. “Dihet se ne kemi marrë një ftesë dhe se kemi ndërmend të shkojmë në Kinë në tetor”, thotë Yuri Ushakov, ndihmës i presidentit rus për çështjet ndërkombëtare, në komentet e transmetuara nga lajmet e agjencive ruse./The Guardian