MMPHI pritet të shpenzojë rreth 37 mijë euro për 10 eko-ulëse me energji solare

Eko-ulëse me energji solare pritet të blejë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës [MMPHI]. Për këtë qëllim, Ministria kishte iniciuar procedurë tenderuese. Blerja e 10 eko-ulëseve me materiale tjera përcjellëse, pritet të ketë një kosto deri 36,950 euro, apo rreth 3,695 euro për një të tillë.

09.07.2025, nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publike “E-prokurimi”, MMPHI publikoi thirrjen për kontratë.

Procedura e hapur e prokurimit, është lloji i procedurës së përdorur, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Për blerjen e 10 eko-ulëseve Ministria kishte parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 37,600 euro.

“Vlera e përafërt për 10 (dhjetë) Eko-ulëseve me energji solare është 37600€”- thuhet në dosjen e tenderit.

Ministria bën të ditur qëllimin e blerjes së këtyre eko-ulëseve.

“Bazuar në planifikimin e prokurimit dhe vendimet për themelimin e këshillave organizative për shënimin e festave mjedisore të sipërpërmendura dhe kërkesat e vazhdueshme sipas procesverbaleve për shënimin e festave mjedisore nga anëtaret e KO-tive, për investime në mjedis përgjatë shënimit të festave mjedisore dhe aktivitete konkrete dhe inovative si kjo Eko-Ulëse me Energji Solare në hapësira publike dhe gjatë bashkë organizimit me nivelin qendror, lokal, donatorë- partnerë, SHFMU dhe subjekte tjera të ndërlidhura t’i furnizojmë me Eko-Ulëse me Energji Solare, ne ju drejtohemi për aprovimin e kërkesës për lejimin e inicimit të procedurave të prokurimit për Eko-Ulëse me Energji Solare”- thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të datës 13.08.2025, kontrata ju është dhënë  grupit të operatorëve ekonomik “DXD L.L.C.; N.N.P.I dhe Arcproject SH.P.K”, me çmim të përgjithshëm të kontratës 36,950 euro.

Bazuar në paramasë e tenderit, projekti përfshin:

  • Furnizim, transport, montim dhe instalim i dalesit/output usb3.0 dhe usb C; në sasi 10 copë;
  • Furnizim, transport, montim dhe instalim i panelit solar ES-Poly-20,  20Ë, 400x333x22mm, sasi 10 copë;
  • Karrige e eko ulëse e veshur me dru Arish i lyer me ngjyre ushqyese për drurin (sadolin), me dimensione 1200x500x400 mm e cila i bashkangjitet eko-uleses, 20 copë;
  • Konstruksione metalike hekuri për eko ulëse 1200x500x400 mm (x2): furnizim, transport, saldim, lyrje me bazë dhe ngjyrë antikorozion, sasi 10 copë;
  • Bimë shumëvjeçare lokale kacavjerrëse për eko ulëse: Furnizim, transport, mbjellje e bimëve, në sasi 40 copë;
  • Vazo metalike hekuri me 2mm e lyer me ngjyre anti korrozion e veshur me dru arish me dimensione 1360x500x400 mm: furnizim, transport dhe montim, sasi  10 copë;
  • Rrjete hekuri me kornize te shufrave te hekurit e kthyer 90 grade me dimensione 3.1 m2 për eko ulëse, sasi 10 copë;
  • Furnizimi dhe transporti dhe vendosja e dheut kompost dhe guraleceve të drenazhes për eko ulëse, në sasi 200 copë.