Mitrovicë, vdes pronari i lokalit pasi u plagos nga të dyshuarit për grabitje
Ka vdekur personi ndaj të cilit mbrëmë është shtënë me armë zjari nga një i dyshuar grabitës në Mitrovicë.
Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.
KALLXO.com ka raportuar mbrëmë se personi kishte mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri pas një tentim grabitjeje në një dyqan, pronë e viktimës.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Mbretëresha Teutë”, rreth orës 22:23.
“Janë arrestuar dy të dyshuar pasi që gjatë një grabitje në një lokal, njëri prej tyre ka shtënë me armë në drejtim të pronarit të lokalit. Viktima është dërguar në Spitalin e Mitrovicës ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij”, njofton Policia.
Tutje thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar armën e përdorur ne rast dhe dy gëzhoja.
Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion ndërsa, të dyshuarit dërgohen në mbajtje.