Mitrovicë, helmohen 10 nxënës nga ushqimi në një lokal
Policia e Kosovës ka njoftuar se 10 nxënës janë helmuar në një lokal të ushqimit në Mitrovicë.
Sipas forcave të rendit, lokali është mbyllur nga inspektorët komunal.
“Raportohet se 10 nxënës kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Mitrovicës pasi që, janë helmuar nga ushqimi që kanë ngrënë në një lokal. Të njëjtit pas pranimit të tretmanit mjekësor janë liruar, ndërsa lokali është mbyllur nga inspektorët komunal” – thuhet në njoftim.
Ndërkaq, për rastin, mbrëmë, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi tha se kanë nis hetimet.
“Gjendja higjienike- sanitare në momentin e inspektimit (në lokal) nuk ka qenë e mirë. Sidomos në hapësirën e përgatitjes se mishit për doner. Nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare dhe nuk është kryer DDD. Janë marrë strishot nga mjetet e punës, tavolinat e shërbimit, pjata e servimit dhe duart e kuzhinierit. Janë marrë mostra të produkteve ushqime: doner, pleskavicë, sallatë, majoneza dhe sosa. Të gjitha mostrat janë përgatitur sipas procedurës standarde për dërgim në laborator. Lokali është mbyllur përkohësisht deri në nxjerrje të rezultateve të analizave laboratorike”- ka thënë Thaçi.
Sipas tij, ndaj operatorit ekonomik do të ndërmerren të gjitha masat ligjore, ndërsa inspektorët e AUV janë ende në terren bashkë me mekanizmat e tjerë shtetërorë, për të marrë veprimet të nevojshme për mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.
Mitrovicë, pas dyshimeve se u helmuan dhjetëra veta, AUV mbyll një lokal të ushqimeve të shpejta