Mitrovicë, pas dyshimeve se u helmuan dhjetëra veta, AUV mbyll një lokal të ushqimeve të shpejta
Dhjetëra persona po dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një lokal të ushqimeve të shpejta në Mitrovicë.
Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës ka thënë për KALLXO.com se pas njoftimit të marrë nga organet gjegjëse inspektorët sanitarë të AUV-së në Mitrovicë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Sipas tij, mbi 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar në lokal.
“Gjendja higjienike- sanitare në momentin e inspektimit (në lokal) nuk ka qenë e mirë. Sidomos në hapësirën e përgatitjes se mishit për doner. Nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare dhe nuk është kryer DDD. Janë marrë strishot nga mjetet e punës, tavolinat e shërbimit, pjata e servimit dhe duart e kuzhinierit. Janë marrë mostra të produkteve ushqime: doner, pleskavicë, sallatë, majoneza dhe sosa. Të gjitha mostrat janë përgatitur sipas procedurës standarde për dërgim në laborator. Lokali është mbyllur përkohësisht deri në nxjerrje të rezultateve të analizave laboratorike”- ka thënë Thaçi.
Sipas tij, ndaj operatorit ekonomik do të ndërmerren të gjitha masat ligjore, ndërsa inspektorët e AUV janë ende në terren bashkë me mekanizmat e tjerë shtetërorë, për të marrë veprimet të nevojshme për mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.
KALLXO.com është në pritje të përgjigjeve nga Policia lidhur me këtë rast.