Miratohet bilanci vjetor për energjinë elektrike për vitin 2024

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka miratuar bilancin vjetor për energjinë elektrike për vitin 2024, në mbledhjen e mbajtur të hënën (29.01.2024).

Në këtë raport janë përfshirë edhe parashikimet për humbjet e energjisë elektrike në katër komunat veriore, pas nisjes së faturimit të rrymës atje.

Pas vendosjes në konsultim të këtij raporti vitin e kaluar, KEDS kishte kërkuar që të përfshiheshin këto humbje.

“Pas vendosjes së dokumentit për konsultim publik kemi pranuar komente dhe një ndër to ka qenë ai nga KEDS. KEDS ka kërkuar si në vijim po citoj “së fundmi OSSH ka nënshkruar marrëveshje me Elektroserverin përmes së cilës obligohet KEDS të prokurojë energjinë e nevojshme për mbulimin e humbjeve në katër komunat në veri. Duke filluar nga 1 janari humbjet do të rriten, andaj do të rritet edhe vlera e importit për mbulimin e humbjes” – tha zyrtari nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë para bordit.

Në versionin  final të këtij dokumenti zyrtari i ZRRE-së tha se: “Konsumi i katër komunave veriore është trajtuar dhe si pasojë koeficienti në rrjetin e shpërndarjes nga 15,99% sa ka qenë është rritur në 17%”.

“KOSTT ka përgatitur draftin e parë i cili sipas udhëzimeve është dërguar për mendim në ministri dhe më pas është dërguar tek ne. Më datën 7 nëntor 2023, në fazën e trajtimit të këtij dokumenti, KOSTT ka njoftuar se KEK është njoftuar nga Unioni Evropian se nuk do të implementojnë projektin për remont kapital të Termocentralit Kosova B dhe ka kërkuar pritjen e një raporti tjetër me ndryshimet…” –  u tha ndër të tjera.