Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Miratohen tri marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë votuar pro tre marrëveshjeve ndërkombëtare.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”, ka marrë mbështetjen e 81 deputetëve, ndërsa 9 të tjerë kanë votuar kundër.

Lidhja Demokratike e Kosovës u deklarua se do të votonte kundër kësaj marrëveshjeje.

Me 88 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin -korniza e qyteteve të gjelbra, 2 dritarja 2 – efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërkaq marrëveshja e tretë që ishte sot në rend të ditës, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin – Efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mori mbështetjen e 90 deputetëve për t’u miratuar.

Në rendin e ditës të seancës së sotme të Kuvendit është edhe raportimi i kryeministrit Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit për takimin e Ohrit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.