Ministrja Nagavci përmend të arriturat në arsim përgjatë dy muajve të fundit

Vënia e gurthemelit të objektit të ri të Fakultetit të Shkencave Matematike dhe Natyrore (FSHMN) të Universitetit të Prishtinës, Ligji për Arsimin e Lartë, përurimi i disa objekteve të reja shkollore, e po ashtu ratifikimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare nga Kuvendi ishin disa nga të arriturat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit sipas ministries Arbërie Nagavci.

Teksa foli për vënien e gurthemelit të  objektit të ri të FSHMN-së ajo tha se ky fakultet deri tani ka funksionuar në hapësira jo të mjaftueshme dhe me kushte jo të mira të punës.

“Dje bashkë me kryeministrin, me rektorin e universitetit, shefin e zyrës së BE-së dhe përfaqësues të tjerë kemi vendosur gurë themelin e objektit të ri të FSHMN-së që deri tani ka funksionuar në hapësira jo të mjaftueshme dhe me kushte jo të mira të punës” – tha Nagavci gjersa theksoi se ky objekt ka vlerën e 8.9 milionë euro.

Në lidhje me ndërtimin e këtij objekti, ministrja potencoi se një pjesë e vogël është e financuar nga UP-ja me mjete të buxhetit të Republikës së Kosovës ndërsa përmendi se ndërtimi i objektit në pjesën më të madhe të fondeve realizohet nga BE-ja.

“Kemi finalizuar ligjin për arsimin e lartë që tashmë ndodhet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim fillimisht në komisionin parlamentar për arsim e pastaj edhe në dy lexime në kuvend. Ajo që ne kemi paraparë për këtë ligj është se siguron vendimmarrje të pavarur dhe të pa ndikuar… Përcaktohet financimi i institucioneve publike në bazë të kontratave të performancës e cila për të qenë të sinqertë ka qenë e paraparë edhe në ligjin ekzistues por nuk është zbatuar asnjëherë” – u shpreh ajo.

“Në këta dy muaj kemi përuruar dy objekte të reja shkollore dhe po ashtu kemi edhe një objekt tjetër që është finalizuar tashmë, deri sa javën e ardhshme do të jemi ne një fshat të Gjilanit në inaugurimin e një objekti që është riaduktuar për çerdhe” – tha Nagavci para mediave gjersa theksoi se gjatë këtij dymujori të këtij viti kanë finalizuar dy udhëzime administrative për mësimdhënësit.

Gjatë konferencës, e para e Ministrisë së Arsimit njoftoi se në muajin prill do të zhvillohet një konferencë kombëtare për vajzat dhe gratë në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).

“Në prill do të zhvillojmë një konferencë kombëtare për vajzat dhe gratë në fushat STEM duke pasur si synim që përtej mbështetjes financiare që kemi dhënë për vajzat dhe gratë që janë në fushat STEM me buxhetin e ndarë për këtë vit janë rreth 3 milionë euro me të cilat ne kemi mbështetur vajzat dhe gratë për studim në fushën STEM”.

Ajo gjithashtu tha se po synojnë edhe organizimin e kësaj konference me qëllim që të ketë konferencë vjetore, ku do të mundësohet edhe rrjetëzimi i vajzave dhe grave që studiojnë dhe punojnë në fushat STEM, promovimin e fushave STEM në të gjitha nivelet e arsimit dhe krijimin e mundësive edhe për punë praktike për studentet, vajzat e gratë që studiojnë në këto fusha, paralelisht edhe me mentorimin  e zhvillimin profesional të tyre.

Në këtë ngjarje u tha se konferenca të rregullta do të mbahen çdo muaj në Minsitrinë e Arsimit.

“Me të drejtë kemi caktuar konferenca të rregullta sepse vëmendja është e madhe” – tha Nagavci.