Hykmete Bajrami, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

Ministrja e Arsimit: Më 1 qershor hapen vetëm çerdhet që janë gati

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka dhënë sqarime rreth vendimit të sotëm të Qeverisë për hapjen e kopshteve dhe çerdheve nga dita e nesërme, 1 qershor.

Ministrja ka thënë se nesër do të hapen vetëm çerdhet që janë gati, ndërsa për të tjerat ka thënë se do të hapen në ditët në vazhdim.

Ky është njoftimi i plotë i ministres:

MË 1 QERSHOR HAPEN VETËM ÇERDHET QË JANË GATI, të tjerat ditëve në vazhdim

Të nderuar qytetarë,

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme (dt. 31 maj 2020), në kuadër të lehtësimit të masave që ndërlidhen me pandeminë, ka marrë disa vendime lidhur me ri-hapjen e institucioneve edukativo-arsimore. Njëra nga masat është hapja e çerdheve dhe kopshteve (nga 0-5 vjet) prej 1 qershorit.
Bashkëlidhur në këtë njoftim po ju dërgojmë linkun “Udhëzuesin për rihapjen e institucioneve parashkollore dhe kopshteve pas pandemisë së COVID-19” të hartuar nga UNICEF-i. Ne tanimë kemi kërkuar nga Drejtoritë Komunale për Arsim që ta përcjellin këtë Udhëzues te institucionet edukative parashkollore. MAShTI kërkon që të zbatohen udhëzimet për masa mbrojtëse të IKShPK-së, OBSH-së, UNICEF-it dhe institucioneve kredibile ndërkombëtare.
MAShTI ka kërkuar nga komunat që institucionet parashkollore të cilat nuk janë të përgatitura sa u përket masave të sipërpërmendura, hapjen e çerdheve dhe kopshteve mund ta bëjnë ditëve në vijim, pasi të jenë siguruar se janë krijuar kushtet e duhura.
MASHTI është në kontakt të vazhdueshëm me komunat, respektivisht DKA-të për çështjen e hapjes se çerdheve. Nga Qeveria kam kërkuar disa herë që të ju dalim në ndihmë komunave me dezinfektues për krijimin e kushteve për rihapjen e çerdheve. Ditëve të ardhshme do t’ju mbajnë të informuar për çfarëdo hapi tjetër dhe do të përcjellim me kujdes të shtuar rihapjen e institucioneve edukativo-arsimore
.