Ministrisë së Kulturës iu morën me përmbarues mbi 480 mijë për objektin që nuk e shfrytëzoi kurrë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti ka paguar mbi 480 mijë euro për qiranë e objektit që nuk e shfrytëzoi as edhe një minutë.

Në shtator të 2019, MKRS nënshkroi një kontratë me Kompaninë “Ramiz Sadiku New Co’’ SHPK, për shfrytëzimin me qira të objektit të kësaj kompanie.

Planet ishin që MKRS të zhvendosej në atë objekt. Zhvendosja nuk u bë pas reagimeve dhe disa protestave të punëtorëve të MKRS-së, të cilët kundërshtonin zhvendosjen e ministrisë në një objekt privat.

Zana Fetiu, këshilltare për media në MKRS kanë thënë për KALLXO.com, se përmes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transefereve, në emër të kontratës së 17.09.2019, Kompanisë “Ramiz Sadiku”, SHPK i janë paguar mbi 400 mijë euro.

“Shuma e paguar nga MFPT-ve për Kompaninë ‘Ramiz Sadiku’ Sh.P.K, është  481,651.40 euro. Pagesa është bërë me datë 30.12.2021 nga MFPT përmes zyrës përmbarimore ‘Mulhaxha’ SHPK”, ka thënë Fetiu.

Kontrata

Më 17.09. 2019, MKRS dhe Kompania “Ramiz Sadiku New Co” SHPK lidhën një kontratë për shfrytëzimin me qira të objekti (2500 m2 në rrugën “Ukshin Hoti”, nr. 120 në Prishtinë) të kompanisë për vendosjen e tërësishme të MKRS-së.

Sipas kontratës të cilën e KALLXO.com e ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike, MKRS duhet t’i paguante “Ramiz Sadiku New Co” 45 mijë euro në muaj për shfrytëzimin (qiranë) e objektit.

Kontrata ishte lidhur për një afat prej 24 muajve, me mundësi vazhdimi, ose ndërprerje edhe më herët nga të dyja palët me lajmërim paraprak së paku një muaj.

 Vendimi për zhvendosje

Vendimi për zhvendosjen e MKRS-së nga objekti aktual, sipas Zana Fetiut, këshilltare për media në MKRS, ishte marrë më shumë se 4 vite, me kërkesë të Presidencës së Kosovës, e cila kishte planifikuar vendosjen në objektin e MKRS, të cilin e ndante me Ministrinë e Bujqësisë.

Ajo ka thënë se për këtë qëllim, tashmë ekziston një projekt për ndërtimin e një pallati presidencial, në vlerë prej 18 milionë eurove.

“Në këtë shumë të projektit nuk janë përfshirë kostot e së paku dy blloqeve banesore që do të shpronësoheshin dhe shumë lokaleve afariste përreth që, marrë parasysh çmimin e lartë të pronës aty, shtetit do t`i kushtonte së paku 40 milionë euro”, ka thënë Fetiu.

Ajo ka thënë se vendimi për vendosjen e Presidencës në objektin e MKRS ishte ri-aktivizuar gjatë 2020, gjatë Qeverisë së kryesuar nga Abdullah Hoti.

“Me ardhjen e Qeverisë Hoti ishte ri-aktualizuar çështja e objektit përmes nënshkrimit të një kontrate për fazën e parë të punëve në renovimin e objektit, sipas projektit 18 milionësh, e cila kontratë ishte klasifikuar si sekret shtetëror dhe ishte nënshkruar nga ish ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme”, ka thënë ndër të tjerash Fetiu.

Sipas saj, presidenca tashmë është tërhequr nga kërkesa për objektin e MKRS dhe se po shqyrtohen mundësitë që kontrata e lidhur për renovim – faza e parë, të ri-destionohet dhe përdoret për qëllim të renovimit të objekteve kulturore me qëllim që të mos ketë pasoja financiare nga mosekzekutimi i saj.