Ilustrimi: Jeta Dobranja për Kallxo.com

Ministria e Shëndetësisë tregon arsyen e mos zgjatjes së kontratave për infermierët

Përmes një komunikate për media Ministria e Shëndetësisë ka treguar arsyet pse nuk mund të vazhdohen kontrata për stafin mjekësor dhe operacional.

Në komunikatë thuhet se kontratat e nënshkruara gjatë kohës së pandemisë kanë përfunduar sipas kohëzgjatjes që ka qenë dhe raportimet se është ndërprerë kontrata, Ministria e Shëndetësisë thotë se nuk janë të vërteta.

“MSh informon se kontratat e nënshkruara për stafin mjekësor (mjekë, infermierë, teknikë të laboratorit, inspektorë dhe personel mbështetës teknik), të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19 kanë përfunduar shumica, disa përfundojnë me datë 21 qershor 2021 dhe se të njëjtat nuk mund të zgjaten, për shkak se në Projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Të angazhuarit gjatë kohës së pandemisë kanë qenë të financuar nga huamarrja e Bankës Botërore.

“Situata aktuale epidemiologjike tani është shumë më e qetë dhe të dhënat nga raportet ditore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, tregojnë se numri i pacientëve me COVID-19, aktualisht në trajtim është shumë më i vogël se në kohën e angazhimit të këtij stafi, një pjesë e të cilit kanë qenë të angazhuar jo në shërbime mjekësore, por në administratën e MSh-së”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas raportit të 24 orëve të fundit, në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme të vendit janë duke u trajtuar 77 pacientë, prej të cilëve të konfirmuar me COVID-19 janë gjithsej 28 pacientë.