Paralajmërohet grevë nga nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor në QKUK

Nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Duraku përmes një postimi në Facebook ka paralajmëruar grevë.

Ai ka thënë se greva duhet të mbahet me qëllim që të ruhet dinjiteti i infermierëve, të pengohet rritja e mëtejme e mbingarkesës me punë për infermierët dhe në të njejtën kohë të sigurohet kujdesi cilësor dhe meritor për qytetarët.

KALLXO.com merr vesh se të hënën nga ora 11:00 do të mbahet një mbledhje e kryesisë dhe këshillit drejtues dhe pritet të propozohet edhe opsioni i grevës dhe më pas të vendoset kolektivisht nëse do të mbahet apo jo kjo grevë.

Duraku në postimin e tij ka thënë se duhet të kuptohet nga secili prej atyre që kanë pozicione dhe mundësi për ndryshime pozitive, duhet të jenë aty për të shërbyer dhe e jo për të sunduar e as për të ndarë privilegje në mes të komuniteteve.

Sipas Durakut, ndaj pacientëve duhet të ketë trajtimin dhe kujdes të merituar dhe cilësor, mirëpo diçka e tillë nuk arrihet duke i ngarkuar infermierët me punë.

“Privilegje duhet të kenë vetëm pacientët, bashkë me trajtimin dhe kujdesin e merituar dhe cilësor, cilësi e kujdes i cila nuk arrihet duke e ngarkuar skajshmërisht infermierin me punë dhe duke e shtypur infermierin”- tha ai.

Një grevë e përgjithshme ishte mbajtur në muajin e fundit në vend. Kjo grevë kishte filluar më 25 gusht 2022 nga ana e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shëndetësisë.

Si pasoj e kësaj greve, nxënësit kishin humbur një muaj mësim deri në ndalimin e grevës më 1 tetor 2022.