Rrahja e të moshuarës në Pejë

Inspektorati Shëndetësor rekomandon heqjen e licencës përkohësisht për katër infermieret

Një video ku shihen disa infermiere duke ushtruar dhunë ndaj një të moshuareje në një Qendër për Përkujdesje të moshuarve në Pejë e cila u publikua dje e ka vënë në lëvizje Inspektoriatin Shëndetësor.

Pamjet shokuan opinionin ndërsa institucionet e zbatimit të ligjit arrestuan tri punonjëse në këtë qendër.

Sot gjatë ditës, Inspektorati Shëndetësor ka dal me një raport të cilin e ka kryer pas inspektimit në këtë qendër në qytetin e Pejës.

Në raport është rekomanduar që për katër infermieret të merret vendim nga Oda e Infermierëve të Kosovës me marrjen e licencës.

Shaban Osmanaj, zëvendësues i Detyrës së Kryeinspektorit Shëndetësor, tha për KALLXO.com se tashmë raporti i këtij institucioni mbikëqyrës po shqyrtohet nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

“Gjetja e parë e jona është, të paktën, derisa është lënda në Prokurori, të u hiqet licenca të paktën përkohësisht katër infermierëve. Kurse Inspektorati në vendin e ngjarjes ia ka ndaluar përkohësisht ushtrimin e veprimtarisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, deri të merret një vendim, qoftë nga Oda qoftë nga Prokuroria dhe Gjykata” – tha ai.

“Për katër infermieret tanimë nuk kanë të drejtë të ushtrojnë profesionin deri në marrjen e një vendimi nga Oda e Infermierëve të Kosovës” – deklaroi Osmanaj.

Sipas tij, hetimet e para zbardhin dyshimet se infermieret kanë shkelur kodin e etikës.

“Ne kemi bërë rekomandim, sepse ne dyshojmë se mund të jetë bërë shkelje etike profesionale nga infermieret në fjalë dhe lëndën e kemi përcjellë te Oda e Infermierëve të Kosovës. Në bazë të informacioneve që sapo i kam marrë unë, është mbledhur Këshilli Etik dhe është duke shqyrtuar raportin tonë” – tha tutje U.D. Kryeinspektori Shëndetësor.

Ai ka shpjeguar edhe kompetencat e institucionit që drejton.

“Kjo ka qenë një qendër për përkujdesje dhe trajtim të personave të moshuar që nuk është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë por është në kuadër të Ministrisë së Financave, Transfereve dhe Punës. Mirëpo, meqë është bërë fjalë për profesionistë shëndetësorë, ne kemi shku në vendin e ngjarjes dhe kemi konstatuar se institucioni nuk i përket inspektimit të Inspektoratit Shëndetësor, që i bie se nuk është licencuar nga MSh-ja” – tha ai.

“Me qenë se kanë qenë profesionistë shëndetësor ne kemi shqyrtuar licencën e profesionistëve shëndetësor, sepse ata mund të japin terapi tek personat që janë aty, ka rezultuar se të gjithë infermierët, të katër infermierët kanë qenë me licencë valide të lëshuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës” – deklaroi Osmanaj për KALLXO.com.

Rrahja e të moshuarës në Pejë, Prokuroria fillon hetimin e rastit