Ministria e Mbrojtjes angazhoi auditorin e Brendshëm kundërligjshëm

Ministria e Mbrojtjes në vitin 2019 kishte angazhuar një zyrtare që kishte pozitën e asistentes si Auditore të Brendshme, edhe pse ajo nuk ishte certifikuar si e tillë me rastin e marrjes së pozitës.

Kështu ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e vitit 2019, të kësaj ministrie që atë kohë udhëhiqej nga Rrustem Berisha i AAK-së, si pjesë e Qeverisë së PAN-it.

“Në departamentin e auditimit zyrtarja me kontratë mbi vepër në pozitën e asistentes që nga data 13 tetor të vitit 2017, ka qenë pjesë e ekipit auditues, si auditore, duke kryer auditimet e rregullta si anëtare e ekipit të auditimit”, thuhet aty.

Sipas ZKA-së kjo ka ndodhur për shkak të mos aprovimit të pozitës nga Ministria e Administratës Publike dhe se sa është e angazhuar ka përfunduar programin çertifikues për auditim të brendshëm.

Në anën tjetër, sipas Ligjit për Auditim të Brendshëm, neni 10, pika 5 të gjithë Auditorët e Brendshëm, brenda Njësisë së Auditimit të Brendshëm, duhet të kenë stantusin e shërbyesit civil.

ZKA thotë se kryerja e auditimeve nga persona të cilën nuk kanë statusin e rregullt si auditor, ndikon në performancë jo të kënaqshme dhe që cilësia e shërbimeve të ofruara të mos jetë e nivelit të duhur, marr parasysh këtu edhe rëndësinë e aktiviteteve që ka institucioni.

Auditori ka rekomanduar që ministri duhet të siguroj që pozitat e përhershme të plotësohen me vendet e lira të punës të aprovuara në ligjin e buxhetit dhe procesi i auditimit të kryhet nga stafi kompetent dhe me status të rregullt sipas kërkesave ligjore për Auditim të Brendshëm.