Foto: Tatimi në pronë

Ministria e Financave deklarohet për rritjen e tatimit në pronë: Vlerësimi është kryer bazuar në vlerën e tregut

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është deklaruar lidhur me reagimet e qytetarëve për rritjen e tatimit në pronë, për të cilën komunat vunë përgjegjësinë tek vlerësimi i pronave i kryer nga kjo ministri.

Sipas ministrisë, për gjatë vitit 2022 është kryer vlerësimi i përgjithshëm i tokave dhe objekteve rezidenciale si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit, për të cilat janë njoftuar të gjitha komunat.

Departamenti i Tatimit në Pronë, sipas ministrisë, ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për metër katror për objekte dhe toka. Derisa, vlerësimi i përgjithshëm është kryer duke u bazuar në vlerën e tregut me ç’rast Departamenti i Tatimit në Pronë ka përdorur disa të dhëna.

“Kontrata të shitblerjeve për prona rezidenciale (jo më të vjetra se 3 vjet); intervista me agjentë të shitjes së pronave të paluajtshme; anketime të pronarëve të pronave; intervista me zyrtarë bankash në lidhje me vlerat e pronave që përdoren si kolateral; vlera të pronave që janë shpronësuar; të dhëna të qirave; dhe të dhëna nga kompani të ndërtimit” – thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë së Financave, vlen të theksohet se në vitin tatimor 2023 nuk zbatohet zbritja e përgjithshme për tokat, pasi që tanimë kemi hyrë në vitin e 5-të të tatimimit të tokave.

“Nga ky vit, të gjitha tokat rezidenciale, komerciale, industriale dhe pyjore tatimohen me 100% të vlerës së vlerësuar, për dallim nga viti i kaluar ku është zbatuar zbritja e përgjithshme prej 20%, ku tokat janë tatimuar me 80% të vlerës së vlerësuar” – thuhet nga ministria.

Për çdo ankesë ndaj vlerës së vlerësuar për pronën, ministria u bëri thirrje qytetarëve që të drejtohen pranë Komunës së tyre për të paraqitur ankesë ndaj certifikatës së vlerës së vlerësuar, e cila pastaj shqyrtohet nga Departamenti i Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Lidhur me këtë rritje të tatimit në pronë, Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se përgjegjës për procedurën e vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave.

Komuna potencoi se nuk e ka bërë përcaktimin e shumvave në fatura për vitin tatimor 2023.

Derisa, nënkryetari i Prishtinës Alban Zogaj përmes një reagimi në Twitter theksoi se norma e tatimit është e njëjtë, por ministria i ka vlerësuar pronat më lartë, duke theksuar se si komunë nuk janë të njoftuar mirë për këtë punë.

“Norma e tatimit është e njëjtë, por Ministria e Financave ka bërë rivlerësim të pronave dhe i ka vlerësuar më lart. Andaj, dhe do të paguajmë më shumë. As ne si komunë nuk jemi njoftuar mirë për këtë punë” – shkroi Zogaj.

Zogaj shtoi se kanë kërkuar rivlerësim dhe pezullim të vendimit.

“Ne kemi kërkuar rivlerësim dhe pezullim të këtij vendimi, sidomos në këtë kohë krize, e në këtë kohë me inflacion” – shtoi ai.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve: