Ministri Veliu pret delegacionin gjerman, diskutojnë për njohjen reciproke të patentshoferëve

Ministri i Punëve të Brendshme dhe i Administratës Publike, Agim  Veliu, ka pritur në takim Guido Zielke, i cili po qëndron në Prishtinë për takime rreth njohjes reciproke të patentë-shoferëve.

Sipas komunikatës ministri Veliu ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, bashkë me Agjencinë për Regjistrimit Civil, do të mbështesin përmbylljen e këtij procesi tepër të rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë në Gjermani.

“Ministri Veliu, vlerësoi se takimet e tilla do të mundësojnë që për së afërmi të shkëmbehen përvoja dhe praktika reciproke në fushën e lëshimit, menaxhimit dhe legjislacionit. Republika e Kosovës, në vitin 2019 ka aplikuar për njohjen e patentë-shoferëve të shtetasve tanë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ministria.

Sipas ministri Veliu  vizita e delegacionit gjerman paraqet një hap të rëndësishëm proces i cili  si rezultat do të ketë vendimin përfundimtar të Gjermanisë dhe 16 Republikave të këtij shteti, për njohjen reciproke te patentë-shoferëve.

Tutje ministria njofton se së shpejti Kosova dhe Gjermania do të kenë një marrëveshje për patentë-shofer.

“Ministri Veliu është shprehur optimist, që së shpejti të kemi marrëveshje për patentë shoferë respektivisht njohjen e tyre nga Republika e Gjermanisë me të cilën do të jetë një çështje shumë pozitive jo vetëm për komunikacionin rrugor në rajon por edhe në Bashkimin Evropian”, thuhet tutje në komunikatë.

Ministria e Punëve të Brendshme në kuadër të përpjekjeve të saj për njohje ndërkombëtare të dokumenteve personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, deri në tani ka nënshkruar marrëveshje me Republikën e Shqipërisë dhe atë Maqedonisë së Veriut.

Në bazë të këtyre marrëveshjeve, palët kontraktuese njohin reciprokisht zëvendësimin, konvertimin e patentë-shoferëve/lejeve të drejtimit të vlefshme, të lëshuara nga autoritetet kompetente të palës tjetër kontraktuese, në pajtim me legjislacionin e tyre të brendshëm, në favor të mbajtësve të patentë-shoferëve/lejeve të drejtimit, të cilët kanë fituar të drejtën e vendqëndrimit të ligjshëm – rezidencën normale në territorin e vendit të tyre.