Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Ministri Sveçla i quajti ‘budallallëqe’ pyetjet e gazetares, reagon AGK-ja

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar gjuhën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ndaj gazetares së portalit “Periskopi”, Besarta Hoti, duke ia cilësuar si “budallallëqe” pyetjet e saj në lidhje me një punësim në MPB, në një konferencë për media sot.

Sipas AGK-së, sjellja e ministri Sveçla ndaj gazetares është joprofesionale për postin që mban duke shtuar se ka konotacione seksiste.

“Gazetarja Hoti e ka pyetur ministrin për punësimin e motrës së tij, në Ministrinë e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, në një konferencë shtypi. Sjellja e ministrit Sveçla është joprofesionale për postin që mbanë dhe gjithashtu ka konotacione seksiste. Përgjigja e tij ka nxitur një varg reagimesh linçuese online që e kanë targetuar gazetaren”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Tutje, në njoftim AGK ka theksuar se MPB nuk kthejnë përgjigje në shumicën e kohës në pyetjet e mediave.

AGK-ja konsideron se gazetarët janë të lirë të pyesin çdo lloj pyetje në interes publik, pavarësisht temës “qendrore të konferencës. Për më tepër, MPB-ja sikurse ministri të tjera të qeverisë nuk kthejnë përgjigje shumicën e kohës në pyetjet e mediave”, deklaron AGK.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kanë mbajtur sot një konferencë të përbashkët për media, në lidhje me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Në konferencë ministri Sveçla është pyetur nga gazetarja  e portalit “Periskopi”, Besarta Hoti në lidhje me punësimin e motrës së tij në Ministrinë e Bujqësisë.

“Zotëri Sveçla, para dhjetë ditësh është raportuar në media se është punësuar motra juaj Magbule Hyseni në Ministrinë e Buqësisë, cili është komenti i juaj duke pasë parasysh që sa keni qenë në opozitë keni qenë zëri më kritik për nepotizëm,” ka pyetur gazetarja.

Ministri Sveçla pyetjen e gazetares e ka quajtur budallallëk.

“Ne po flasim për një sulm terrorist, e ju mirreni me budallallëqe të tilla”, është përgjigjur ministri.

Gazetarja ka insistuar në pyetjen e saj e cila tha se vetë ministri Sveçla ka qenë ndër zërat kritikues për nepotizëm sa ka qenë në opozitë.

“Zotëri Sveçla nuk mund të quhet budallallëk kjo pyetje, për vetë fatin që ju keni qenë ndër zërat kritikues sa keni qenë së bashku partia e juaj dhe ju në opozitë”, ka thënë gazetarja Besarta Hoti.

Në kundër përgjigjen e tij, ministri Sveçla tha se në konferencë do të flasin vetëm për temën që janë thirrur të flasin.

“Të nderuara media vetëm sa ju thash që është një konferencë e jashtëzakonshme që ka të bëjë me një varg sulmesh të grupeve terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe do të flasim vetëm për këtë”, ka deklaruar Sveçla.