Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Sveçla: Policia u sulmua me granatë dore dhe kallashnikov në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm me granatë dore dhe kallashnokov ndaj disa policëve të Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare.

Sipas ministrit, ky sulm tashmë është i faktuar. Ministri Sveçla në konferencë për media ka thënë se në tri ditët e fundit janë realizuar katër sulme ndaj policëve të Kosovës në veri.

“Është bërë për qëllim të frikësimit të policëve. Grupe të ndryshme në 3 ditët e fundit kanë realizuar 4 sulme në atë zonë. Sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqa metalik në kohën e njëjtë me sulmin e sotëm me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Më tej ministri ka treguar se sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në drejtim të policisë.

“Sulmi i tretë është publik, ka ndodh mbrëmë ku në afërsi të punktit policor, i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale është gjuajtur me armë zjarri dhe sot janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policipr për në pikat kufitare”, ka theksuar Sveçla.