Ish kryetari i AAK-së në Prizren kërcënon stafin e RTV Besa, reagon AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton se stafi i Radio Televizionit Besa në Prizren, është kanosur e kërcënuar gjatë ditës së djeshme nga ish kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në këtë komunë, Lulzim Kabashi.

Sipas një njoftimi drejtuar AGK-së, redaksia e këtij mediumi ka thënë se “Ish kryetari i AAK-së në Prizren Lulzim Kabashi ka “bastisur” dje pasdite zyrat e RTV Besa ku duke u kanosur dhe kërcënuar mediumin lokal RTV Besa.

“Ai ka kërcënuar me jetë për shkak të një lajmi të publikuar nga mediumi për një ish kandidat të AAK-së në zgjedhjet e fundit lokale të arrestuar dje nën dyshimin për posedim të substancave narkotike. Rasti është paraqitur në Policinë e Prizrenit”- thuhet në njoftim.

AGK ka dënuar kërcënimin dhe kanosjen ndaj mediumit lokal RTV Besa dhe u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që “të trajtojë rastin me prioritet në mënyrë që kolegët të vazhdojnë të kryejnë profesionin e tyre pa u penguar”.