Foto: Armend Mehaj, Facebook

Ministri Mehaj takohet me homologun britanik, flasin për investime në fushën e mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është takuar me homologun e tij nga Britania e Madhe, James Heappey, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori britanik, Nicholas Abbott.

Në këtë takim është diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën ushtarake, pjesëmarrjen në misione, stërvitje dhe trajnime të përbashkëta, si dhe shkollimin e kuadrove të reja ushtarake të FSK-së në Akademinë e Mbrojtjes të Britanisë së Madhe.

Në njoftim thuhet se temë tjetër diskutimi ishte dhe investimi në industrinë e mbrojtjes dhe blerjen e pajisjeve ushtarake të cilat po bëhen përmes marrëveshjeve shtet me shtet.

“Pas realizimit të suksesshëm të trajnimit të përbashkët në Ishujt Falkland shpreha para ministrit Heappey gatishmërinë tonë që FSK të marr pjesë edhe në misione të tjera përkrah Forcave të Armatosura Britaneze”- ka thënë Mehaj.

Sipas njoftimit, ministri Heappey vlerësoi lartë ndihmën e ofruar nga Republika e Kosovës në evakuimin e refugjatëve afganë, e po ashtu mbështetjen e ofruar në trajnimin e ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme si dhe fusha tjera që mund të kërkohen nga partnerët tanë.

Po ashtu, ai ka theksuar se Kosova do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe në procesin e integrimit në programin e Partneritetit për Paqe, organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në BE dhe në NATO.

Ministri i Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuara, James Heappey, ka qëndruar sot në Kosovë, ku është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Forcën tonë të Sigurisë, e cila po forcohet me standardet më të larta të NATO-s, përmes trajnimeve të ndryshme në rritje të kapaciteteve të përbashkëta.

Ajo ka potencuar edhe gatishmërinë e Kosovës që t’u bashkohet forcave britanike në misione paqeruajtëse në vende të tjera të botës.

“Presidentja Osmani ka përmendur edhe nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë që të ecet përpara me hyrjen e Republikës sonë në Programin e Partneritetit për Paqe, e deri tek anëtarësimi në NATO”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, kryeministri Kurti e ka falënderuar atë për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, teksa e uroi për kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla.

Sipas njoftimit, Kurti ka vlerësuar të nevojshëm rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim me bashkë-zbarkime, trajnime dhe pajisje të reja ushtarake.

Ministri Heappey nënvizoi që Kosova është histori suksesi dhe duhet të punohet së bashku për të promovuar progresin e arritur.