Ministri Latifi nuk raporton për pasqyrat financiare në komision, raporti nuk shqyrtohet fare

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike kishte planifikuar që sot të shqyrtojë raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për 2021 duke ftuar ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ky shqyrtim dështoi për shkak të mungesës së ministrit dhe zëvendësministres së parë.

Ky komision nuk pranoi në raportim sekretarin e këtij institucioni dhe as zëvendësministrin, Arsim Berisha të cilët kishin ardhur në komision.


Në komision u tha gjithashtu se kjo është hera e tretë që ky komision shtyhet në mënyrë që t’i përshtatet ministrit të Shëndetësisë dhe sipas tyre mungesa e ministrit është neglizhencë dhe mungesë respekti për institucionin.

Kryetarja e këtij Komisioni, Hykmete Bajrami, tha se Ministria e Shëndetësisë para dy javësh e ka konfirmuar pjesëmarrjen por që sot në ditën kur është dashur të ishte në komision ka vendosur të vizitojë Spitalin e Mitrovicës.

“Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar që ministri nuk do të vjen zëvendësministrja Gexha. Para dy javësh e kanë pasur të konfirmuar që do të vinin sot e sot kishte vendosur që të shkojë në Spitalin e Mitrovicës. Si shkak i mungesës së ministrit, raporti do të shkojë drejt në seancë sepse ashtu jemi marrë vesh nëse nuk vijnë krerët e institucioneve. Ky raport shtyhet për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit kurdo që i vjen radha”, tha Bajrami.

Ky komision vendosi që Raporti i Auditimit të Ministrisë e Shëndetësisë të shkojë për diskutim në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe të mos diskutohet fare në komision.