Stadiumi i Gjilanit, Foto: KALLXO.com

Ministri i Sportit shkon në Gjilan, por nuk jep datë se kur përfundojnë punimet në stadium

Në ditën më të rëndësishme të sportit në Gjilan, ku luhet derbi i qytetit, Drita – Gjilani, Ministri i Sportit Hajrulla Çeku ka vizituar kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ku përveç tjerash kanë diskutuar edhe punimet e stadiumit të qytetit, për të cilat as sot nuk u dha një datë se kur pritet të përfundojnë.

Sipas Çekut, çështja e stadiumit të futbollit të Gjilanit do të marrë zgjidhje me hartimin e fazës përfundimtare të projektit, duke shtuar se data e saktë dhe kostoja do të dihen pasi të finalizohet projekti.

Këto deklarime, ministri Çeku i bëri gjatë një konference për media, pas takimit që pati sot me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

“Asnjëherë nuk ka pasur një projekt përfundimtar për stadiumin e Gjilanit. Shumë shpejt do të nis edhe hartimi i projektit për fazën e fundit, i cili përfundimisht na nxjerrë edhe koston dhe na tregon kohë e realizimit” – tha ai.

Çeku tha se vetëm me ardhjen e Hysenit në krye të Gjilanit, është bërë e mundur të dihen parregullsitë që e kanë përcjellë projektin për stadiumin.

As kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni nuk ka dhënë kosto apo datë të saktë të përfundimit të stadiumit të Gjilanit.

“Një defekt është se nuk është paraparë furnizimin i stadiumit me energji brenda projektit dhe përbrenda buxhetit. Ky dhe shumë defekte tjera, ku njëri prej tyre është mosekzistimi i projektit final dhe të zbatueshëm në terren” – tha në mes tjerash Hyseni.

Projekti për renovimin e stadiumit të Gjilanit ka nisur më 2016.

Stadiumi i cili përdoret nga dy skuadrat gjilanase SC Gjilani dhe FC Dritës, pritet të jetë i kategorisë së katërt.