Ilustrim

Ministri i Jashtëm ukrainas thotë se numri aktual i trupave ruse është i pamjaftueshëm për një pushtim të plotë të Ukrainës

‘Rusia nuk ka grumbulluar forca të mjaftueshme për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës’, tha të mërkurën ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, shkruan sot CNN.

Kuleba u tha gazetarëve në Kiev se trupat ruse mund ta sulmojnë Ukrainën në çdo kohë, siç kishte ndodhur që nga viti 2014, por aktualisht nuk do të ishin në gjendje të kryenin një ofensivë të plotë.

“Numri i trupave ruse të grumbulluara përgjatë kufirit të Ukrainës dhe në territoret e pushtuara është i madh, ai përbën një kërcënim – një kërcënim të drejtpërdrejtë për Ukrainën”, tha Kuleba.

“Megjithatë, ndërkohë që po flasim ky numër është i pamjaftueshëm për një ofensivë të plotë përgjatë gjithë kufirit ukrainas. Atyre u mungojnë gjithashtu disa tregues dhe sisteme të rëndësishme ushtarake për të kryer një ofensivë kaq të madhe në shkallë të plotë”, shtoi ai. “Mund ta përsërisim edhe 100 herë brenda ditës pushtimi është i pashmangshëm, por kjo nuk e ndryshon situatën në terren”.

Kuleba u tha gazetarëve se një pushtim ushtarak nuk është kërcënimi i vetëm për Ukrainën.

“Ne shohim një skenar të destabilizimit të Ukrainës dhe ai skenar është i pashmangshëm, tashmë po ndodh – duke përhapur panik, duke ushtruar presion mbi sistemin financiar të Ukrainës, duke kryer sulme kibernetike kundër Ukrainës”, tha ai.

“Unë jam i sigurt se presidenti Putin do të ishte i lumtur ta shihte këtë plan të suksesshëm, kështu që ai nuk duhet ta përdorë forcën ushtarake për ta vënë Ukrainën në një pozitë jashtëzakonisht të cenueshme”.

Tutje, ai shtoi: “Prioriteti numër një sot është që të mbahen gjërat nën kontroll, të jemi realistë në vlerësimin e kërcënimit të menjëhershëm duke mos e zvogëluar kërcënimin e pushtimit të mundshëm ushtarak”.

Më herët të mërkurën, Sergiy Korsunsky, ambasadori i Ukrainës në Japoni, tha se nuk pret një luftë totale me Rusinë.

“Unë jam optimist. Besoj se një luftë në shkallë të gjerë është shumë, shumë, shumë e vështirë për t’u pritur, por ne mund të shohim më shumë konflikt të lokalizuar, për fat të keq”, tha Korsunsky gjatë një fjalimi në Tokio për marrëdhëniet Ukrainë-Japoni.

“Por nëse bëhet fjalë për kushtet ushtarake, më lejoni t’ju them, ne jemi shumë të gatshëm. Ushtria jonë është e përgatitur shumë mirë. Dhe kemi një popullsi që është shumë e motivuar”, tha Korsunsky.

“Është absolutisht e pakuptimtë të mendosh, siç thonë disa analistë rusë, se sapo të shohim afrimin e forcave ruse, do të ketë një kryengritje, do të ketë ndryshim në qeveri. Në asnjë mënyrë”, shtoi ai.

Një burim i afërt me udhëheqjen ukrainase i tha CNN të martën se inteligjenca më e fundit ushtarake sugjeron se forcat ruse nuk janë ende të përgatitura për të organizuar një pushtim të pashmangshëm në Ukrainë./CNN