Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Ministri i Drejtësisë mungon në Kuvend që ta arsyetoj Marrëveshjen e Kosovës dhe Italisë për transferimin e personave të dënuar

Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për transferimin e personave të dënuar.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci tha se Ministri i Drejtësisë Selim Selimi nuk ishte prezent në Kuvend për ta arsyetuar këtë projektligj.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj, kërkoi nga deputetët ta votojnë këtë projektligj.

“Në emër të qeverisë kërkoj ta mbështesni projektligjin”, tha Selmanaj.

Shkëmb Manaj, në emër të komisionit për Legjislacion tha se komisioni e ka ka shqyrtu këtë projektligj dhe unanimisht Kuvendit i ka rekomanduar për miratimin e tij.

Edhe në emër të LDK shpreh qëndrimin për mbështetjen e këtij projektligji.

Dimal Basha tha se e përkrahin këtë marrëveshje por dha kritika për mos prezencën e ministrit në seancë.

“E lusim për më shumë seriozitet dhe mos ta vënë barrën mbi opozitën të cilët po i përkrahin këto marrëveshje”, tha Basha.

Edhe Abelard Tahiri nga PDK-ja tha se mosvotimi i kësaj pike do ta nxirrte Kosovën keq me Italinë.

“Ne si opozitë po duhet me u kujdes ta bëjmë punën e tyre”, tha Tahiri.

Daut Haradinaj nga AAK tha se për pak minuta ministri do të jetë këtu për ta arsyetuar këtë pikë dhe se sipas tij ministri e ka pasur një takim të nivelit të lartë zyrtar.

“Nuk ka pas neglizhencë nga ministri. Ne do t’i japim përkrahje këtij projektligji”, tha ai.

Nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci tha se deri tani nuk ka pas ndryshim të agjendës.

“Pa prezantim të ministrit kjo pikë do të duhej të hiqej tërësishtë”, tha ajo.

Deputeti i LVV-së Dimal Basha pas marrjes së fjalës për herën e dytë tha se pa prezencën e minsitrit kjo pikë nuk mbështetet nga LVV-ja.

Me 67 vota për Kuvendi nuk arriti vendimarrje për këtë pikë.

Nënkryetarja Nagavci u zhvendos në pikën e radhës, duke thënë se kjo pikë do të hedhet në votim një herë tjetër.