Ministri danez tregon përse zgjodhën Kosovën që t'i sjellin të dënuarit

Ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Nick Haekkerup, në një konferencë për media me homologen e tij kosovare, Albulena Haxhiu ka treguar se përse kanë zgjedhur që pikërisht në Kosovë t’i sjellin që të vuajnë dënimin 300 të burgosur.

Ministri danez tha se vendi i tij ka qenë nder vendet e para që kanë njohur shtetin kosovar dhe ndjehen rehat me Kosovën.

“Kemi qenë një ndër vendet e para që kemi njohur Kosovën dhe përfaqësuesi special i OKB ka qenë një mik i Kosovës, dhe ndihemi më rehat me Kosovën”, ka thënë ai.

Haekkerup deklaroi se janë drejtë finalizimit të një marrëveshje për të fuqizuar bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Aktualisht jetojmë në kohë të vështira dhe Danimarka dënon sulmet e Rusisë në Ukrainë. Në këto kohëra është jetike që të bashkëpunojmë në nivel ndërkombëtar, marrëveshja e ratifikuar do të fuqizoj bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Jemi drejtë finalizimit të marrëveshjes, që do t’i fuqizojë lidhjet tona dhe do t’i afrojë dy vendet tona”, tha ai,

Ndërkaq, ministrja Haxhiu tha se planifikojnë që në fillim te muajit maj të finalizohet kjo marrëveshje, pastaj, shtoi, se do të bëhen disa renovime në qendrën e paraburgimit në Gjilan.

“Tashmë Kosova dhe Danimarka kanë rënë dakord për një marrëveshje partneriteti si palë të barabarta. Konsiderohet si një marrëveshje me peshë të rëndësishme, gjatë kësaj kohe të dy delegacionet kanë treguar përkushtim. Ky akt do të forcoj bashkëpunimin me Mbretërinë e Danimarkës. Përmes kësaj marrëveshje ne dëshmojmë se jemi të hapur dhe duam të vazhdojmë reformat. Vizita e ministrit danez dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e këtij partneriteti. Zotimi jonë është i qartë, ne do të angazhohemi për bashkëpunim të mëtutjeshëm”, tha Haxhiu.

Kosova do të pranojë 300 të dënuar nga Danimarka të cilët do të vendosen në 300 qeli në burgun e Gjilanit.

Këta 300 të dënuar në Danimarkë e që janë të burgosur të vendeve të treta dhe sipas njoftimeve të mëparshme, u takojnë personave të privuar nga liria dhe kategorisë së rrezikshmërisë së mesme.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se si kompensim për qiranë e 300 qelive në Kosovë nga ana e Danimarkës, shteti përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishme.

300 të dënuarit në Danimarkë që pritet të vijnë në Kosovë janë me rrezikshmëri të mesme