Ministri Aliu në seancën e jashtëzakonshme për kontratat njëburimore: S’po e di përse më keni thirrur

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu i ka pyetur në Kuvend propozuesit e seancës së jashtëzakonshme për kontratat njëburimore, se përse e kanë ftuar.

Ai tha se krejt çka u diskutua paraprakisht nuk ka të bëjë me dikasterin që e drejton.

“Kam kënaqësi të ju drejtohem juve por nuk po e di as përse më keni thirrë. Krejt çka u fol këtu nuk ka të bëjë me mua. Deputetja që e ka thirrë seancën e filloi fjalimin e saj dhe e përfundoi dhe në rastin kur duhet të filste për Ministrinë e Infrastrukturës, tha 10 milionë e që realisht është 1. Pse ma drejtoni seancën mua, kur për vitin 2023 i kam më pak se 1 milion”- deklaroi Aliu.

Me këtë rast, ai i ka bërë thirrje opozitës që ta lënë këtë seancë, sepse nuk mund të përgjigjet edhe për pjesën e kolegëve të tij.

“Po të kishit folë dhe po të ishte ditur me kohë që do të flisni për kontratat tjera e kishit thirrë Qeverinë komplet dhe këtu kishte qenë edhe ministrja e Ekonomisë, ministrja e Drejtësisë, ministrja e Arsimit dhe ministri i Kulturës, dhe të gjithë do të përgjigjeshin, por ju po dilni këtu e po flisni për ata, e po duhet me u përgjigj unë për ta, e që realisht unë nuk kam haber për atë punë. Unë mundem me u përgjigj për pjesën time e kur të vjen puna për me më përmend mua- nuk mundeni me më përmend se nuk keni për çfarë”- tha Aliu.

“A dini çka, a po e tërhiqni këtë seancë dhe thirreni një tjetër dhe të vijmë me informacione. Vijmë komplet të gjithë dhe flasim krejt për secilin”- theksoi ai.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës: “Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.