Ministri Aliu kërkon që shfrytëzimi i ujërave të bëhet me koncesion, në veçanti hidrocentralet

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës , Liburn Aliu ka kërkuar nga zyrtarët e ministrisë ta mbikëqyrin procesin e aplikimit fitimin e së drejtës ujore, në veçanti të hidrocentraleve.

Sipas një  shkrese të siguruar nga KALLXO.com, Aliu ka kërkuar që procesi i aplikimit të jetë në përputhje të plotë me kërkesat dhe procedurat sipas Ligjit të Ujërave, i cili parasheh që e drejta ujore të fitohet përmes koncesionit vetëm përmes konkursit publik.

“Neni 72 përcakton qartazi veprimtaritë për të cilat lëshohet leja, ku vërehet që veprimtaritë janë të natyrës së shfrytëzimit të ujërave për qëllime publike. Kurse për veprimtari afariste të cilat realizohen me shfrytëzimin e ujit ligji është i qartë, e drejta ujore fitohet përmes koncesionit (neni 78) dhe atë vetëm përmes konkursit publik (neni 79). Neni 78 është i qartë se cilat janë veprimtaritë afariste, e që përfshijnë në mes tjerash hidrocentralet, ambalazhuesit e ujit, hurdhat e peshqve, etj”, thuhet në emailin e ministrit Aliu.

Po ashtu ministri në e-mail ka njoftuar zyrtarët e ministrisë se ditëve në vijim do të krijohet një grup punues ndërinstitucional për shqyrtimin e procedurave administrative për hidrocentralet ekzistuese dhe ndikimin e tyre në mjedis.

Gjatë një interviste të dhënë për “KALLXO Përnime” ministri Aliu ka deklaruar se nuk është kundër hidrocentraleve, por që pamje të lumenjve të shkatërruar ka siguruar që më nuk do të ketë.

“Atë që unë mund të them dhe mund të ju siguroj është se diçka të tillë më nuk do të ketë. Do të ketë procedura të rregullta. Do të bëjmë kritere për elaborate mjedisore të mirëfillta. Unë nuk jam kundër hidrocentraleve, hidrocentrale mund të ketë, mund të ketë edhe penda, do të kemi menaxhim të ujërave dhe të vërshimeve. Dhe krejt këto do të thotë ndërhyrje nëpër ndërtim të digave dhe krejt këto janë potenciale për hidrocentrale. Por unë jam kundër degradimit të natyrës”, ka deklaruar Aliu.