Dr. Lul Raka

Mikrobiologu Raka i kërkon falje zyrës së kryeministrit për keqkuptimin me rezultatet për COVID-19

Mikrobiologu Lul Raka ka kërkuar falje për deklarimin e tij për rezultatet e testimeve për  zyrën e kryeministrit dhe kabinetin e tij, për të cilat kishte thënë që rezultatet do të dalin dje në një intervistë për Euro News.

“Rezultatet e analizave të kryeministrit dhe zyrës së tij pritet sonte, rreth orës 20 ose 22 në mbrëmje”, kishe thënë ai.

Mirëpo përmes një postimi në Facebook ka thënë që e gjitha kjo situatë ka qenë një keqkuptim.

“Pyetja e gazetares për “kryeministrin, mostrat e të cilit janë marrë” po ashtu më gjeti para aktit të kryer se i paskan marrë edhe mostrat! Përgjigja ime ishte në mbrëmje (sikur çdo natë).Kjo informatë paska zgjuar disa portale, të cilat kanë dhënë kontribut të çmuar gjatë pandemisë për informimin e drejtë të qytetarit. Brumin ua paskam dhënë unë vetë”, ka shkruar ai .

Mikrobiologu Raka ka thënë se nga ky keqkuptim ka nxjerrë mësime duke shtuar se tash e tutje do të distancohet nga prononcimet për media.

“I kërkoj falje Kryeministrit, stafit të tij dhe qytetarëve të Kosovës për keqkuptimin që kam shkaktuar. Pandemia dhe politika janë simbiozë ideale për storie të medieve, që shpesh dalin jashtë kornizës reale. Shembull i tillë ishte edhe titulli i nxjerrë nga një intervistë para disa ditësh “Çka tha Lul Raka për Behgjet Pacollin”, edhe pse askund nuk përmenda emrin Behgjet”, ka shkruar ai në facebook.

Raka tutje ka falënderuar mediat për bashkëpunimin e deri tanishëm për informimin e qytetarëve për pandeminë COVID-19.

“Ky është sinjal që edhe unë duhet të pushoj pak nga mediet. Prandaj, falënderoj të gjitha mediet për kontributin e jashtëzakonshëm dhe bashkëpunimin e deritashëm në luftimin e infodemisë së COVID-19 në Kosovë. Kjo sfidë është maratonë dhe secili prej nesh duhet ta ruaj energjinë”, ka shkruar tutje ai.

E krejt në fund, ai ka thënë që tash e tutje deklarimet e tij do të bëjë vetëm në Facebook.

“Nëse kam diçka për të thënë, do ta shkruaj në Facebook vetë, pa uvertyrë të gazetarëve. Tashmë e di se edhe titulli që do të nxirret nga ky sqarim do të dalë në versione të ndryshme”, ka theksuar ai.

Dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Integrimeve Evropiane janë izoluar, pasi që njëri nga zyrtarët e kësaj ministrie ka pasur kontakt më një të infektuar me COVID-19.

Pas marrjes së rezultateve zyrtari për të cilin Kurti hyri në karantinë ka dal negativ në testin për Coronavirus.