Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Metushi-Krasniqi: Qeveria zhvilloi rreth 200 prokurime emergjente, mungoi transparenca

Diana Metushi-Krasniqi, monitoruese e shëndetësisë nga KDI, në debatin për gjendjen në klinikat me pacientë me COVID-19, ku i ftuar është edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka folur për prokurimet emergjente të zhvilluara në gjashtë muajt e fundit.

Ajo tha se Qeveria e Kosovës zhvilloi 200 prokurime emergjente në vlerë prej 3 milionë eurove.

Sipas saj ka munguar transparenca pasi që nuk i është lejuar qasje në dokumente deri para dy apo tre javësh edhe pse një kërkesë e tillë është bërë në muajin gusht.

“Vetë në gjashtë muajt e parë në përgjithësi Qeveria jonë ka zhvilluar rreth 200 prokurime emergjente në vlerë prej 3 milionë, të cilët kanë qenë të mbyllura për publikun dhe janë bërë të qasshme vetëm pasi janë realizu. Kemi identifiku një rritje të çmimeve nga secila kontratë paraprake e cila është realizu nga Ministria apo ShSKUK-ja. Për më tepër një shqetësim të madh që e kemi është mungesa e transparencës dhe bashkëpunimit nga ShSKUK ku prej gushtit deri para dy apo tre jave nuk na është ofruar qasja që e kemi kërku. Qasja na është dhënë vetëm pasi kemi përfshi Avokatin e Popullit”, tregoi ajo.

Në anën tjetër, ministri thotë se kanë kursyer pasi që në planin e veprimit ka qenë e paraparë që të blihen gjashtë pajisje për test PCR, mirëpo këto pajisje i kanë siguruar përmes donacioneve.

“Në planin e veprimeve dhe testimeve ka qenë e paraparë blerja e gjashtë pajisjeve për teste PCR dhe serologjike, për gjashtë e kemi gjetë rrugën tjetër alternative të blerjes, katër i kemi përfitu donacion dhe një ka ardhë me 100 mijë teste si donacion, ky është kursim nuk është mos arritje e shpenzimeve”, potencoi Zemaj.