Gjimnazi "Shaban Hashani" Ferizaj. Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Mësimdhënësja e Gjimnazit në Ferizaj: Nesër ndoshta bie gjithë tavani e i zë 1,300 nxënës

Mësimdhënësja e matematikës në Gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj, Zoja Lohaj Konjufca, ka reaguar për gjendjen e rëndë të objektit shkollor. 

Ajo është shprehur e frikësuar për sigurinë e saj dhe të nxënësve, duke thënë se për shkak të gjendjes që ka objekti mund të ndodhë edhe ndonjë fatkeqësi. 

“Sot meqë filloi shiu pamëshire, pamëshireshëm filloi të pikonte uji nga tavani në klasë dhe klasa filloi të mbushej me puse. Ra zilja. U kry ora e 6-të. U kry për sot. Po nesër ndoshta na bie gjithë tavani e na zë 1 mijë e 300 nxënës” – ka thënë Lahaj Konjufca në profilin e saj në Facebook.  

Ajo në postimin e saj tregoi se kjo shkollë më shumë nuk ka ngrohje sesa që ka dhe se shpesh dimrit i mbajnë vetëm nga dy orë mësim për shkak se është ftohtë në klasë. 

“Më ftohtë është brenda se sa jashtë. Shpesh nuk ka ujë për të pastruar shpuzën e lëre më diçka tjetër. Era e tualeteve po nënkuptohet” – tha mësimdhënësja. 

Sipas saj, punimet në objektin e ri janë stopuar që gati 6 vite, e ajo shton se arsyen për këtë stopim nuk e morën vesh asnjëherë. 

“Qeverisja lokale ia lë fajin qeverisjes qendrore dhe anasjelltas” – tha ajo.   

Lidhur me këto pretendime të mësimdhënëses KALLXO.com i ka dërguar pyetje drejtorit të Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli  ai nuk është përgjigjur. 

KALLXO.com para pak ditëve publikoi një video që tregon gjendjen e rëndë që ka objekti i shkollës në fjalë.