Mesha në kishën e Gjakovës mbahet në prani të një numri simbolik të besimtarëve

Në Gjakovë e diela e Pashkëve është mbajtur në praninë e një numri shumë të vogël të besimtarëve.

Kjo për shkak të ndalesës së vendosur nga institucionet e Kosovës për tubime si masë për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Kisha Katolike e Gjakovës ka transmetuar meshën LIVE në faqen e saj në Facebook.

Sipas pamjeve, kisha është e zbrazët, me përjashtim të priftit dhe motrave të nderit, si dhe një numri shumë të vogël të besimtarëve.

Mesha e sotme është udhëhequr nga patër Ndue Kajtazi.

Ai ka thënë se asnjëherë më parë kisha e Gjakovës nuk ka qenë kaq e zbrazët.

Sipas patër Ndue Kajtazit, mesha e sotme nuk mund të zhvillohej vetëm me meshtarin dhe pa praninë e disa prej besimtarëve.

Ai ka uruar besimtarët, përfshirë edhe ata që me kërkesë të autoriteteve janë kthyer në shtëpi nga dera e kishës.

“Kjo festë nuk i përngjan Pashkëve. Asnjëherë nuk ka qenë ky trishtim. Sikur çdo gjë ka vdekë. Asnjëherë nuk ka ndodhë kjo mënyrë e të festuarit të Pashkëve… Me gjithë respektin  për ata që kujdesen për shëndetin publik, por besoj se Krishti që e ka mundur vdekjen do t’i mundë edhe këto momente të liga, e do të shpërthejë feja më fuqishëm”, ka thënë patër Ndue Kajtazi.

Ai ftoi të gjithë besimtarët katolikë që të mos i humbasin traditat, që të vazhdojnë ngjyrosjen e vezëve si tradita të bukura për festën e Pashkëve si dhe të urojnë familjarët përmes telefonit.

“Në këtë situatë, s’kemi mundësi të ju japim gëzimin e përqafimin e Pashkëve”, tha patër Ndue Kajtazi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë për të pyetur nëse ka pasur zyrtarë policorë përreth kishës katolike në Gjakovë, në mënyrë që të parandalojnë tubimin e njerëzve.

Në përgjigjen e drejtorit rajonal të Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta, thuhet se nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje nga Policia.

“Dje kleri katolik ka bërë thirrje që të mos ketë pjesëmarrje në kishë për ceremoninë fetare, megjithatë një numër prej 10 deri 12 persona kanë marrë pjesë duke e mbajtur distancën sociale, por nuk ka pasë nevojë të ndërhyjnë zyrtarët policorë”, tha Graishta për KALLXO.com

Si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës ka ndaluar çdo grumbullimi të njerëzve, duke rekomanduar qëndrimin e tyre në shtëpi.

Në Kosovë deri më tani janë shënuar 283 raste të të infektuarve me COVID-19, prej tyre 58 të shëruar dhe 7 të vdekur.

10 prej të infektuarve janë nga komuna e Gjakovës.