Foto: KALLXO.com

Mes kulturës tajlandeze shënohet 10-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Tajlandë

Me ushqim tajlandez në njërën anë dhe vallëzim e muzikë tradicionale në anën tjetër brenda një salle në të kaltërt e mbushur me motive tajlandeze u shënua 10-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Tajlandës.

Ambasadori i Tajlandës në Kosovë, Nipon Petchpornprapas, i cili qëndron në Budapest, tha që Kosova dhe Tajlanda kanë pasur raporte të mira prej kur kanë lidhur marrëdhënie diplomatike. Ai shfaqi shpresën se viteve të ardhshme dy vendet të krijojnë lidhje edhe më të ngushta në fushat si investimi, kultura e turizmi.

Tajlanda e njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur më 24 shtator 2013.

Petchpornprapas shprehu mirënjohjen e vendit të tij që Kosova ka hapur Ambasadën në Bankok.

“Ideja është të promovojmë vlerat” – tha ambasadori, duke përmendur vizionin e tij që të investohet nga të dy shtetet në kulturë e turizëm.

Ndër të tjera ai tha që problemi më i madh i tajlandezëve për të ardhur në Kosovë janë vizat.

Në Kosovë ka shumë interesim që të vizitohet Tajlanda për turizëm dhe nuk ka sfida të mëdha në marrjen e vizave.

Ambasadori tha që Kosovës dhe Tajlandës i duhet një bashkëpunim në sektorin privat, e në këtë mënyrë do të krijohej një bashkëpunim i mirë mes tregut të dy vendeve.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha që ngjarja që shënon 10-vjetorin, është një testament i marrëdhënieve të mira.

“Dy shtete tona janë larg por ne kemi potencial të bashkëpunojmë në ekonomi e fusha të tjera” – tha Gashi.

Zëvendësministrja dha lajmin e mirë që në dhjetor do të hapet kompania e parë për riciklim, investim nga Tajlanda.

“Tregti, turizëm, investime e kulturë” – janë disa nga sektorët që përmendi Gashi në të cilët duhet të krijohet bashkëpunim.

Pas ceremonisë kryesore në skenë u interpretuan vallëzime tajlandeze, vallëzimi Buddhadhama, Umbrella dhe Rabam Tonwarachet, e u realizua masazh tajlandez nga Siam Siam Thai.

Ndërsa u kënduan këngët ‘Can’t help falling in love’ e Elvis Presley, “Make you feel my love’ e Adele dhe “I will always love you” e Dolly Parton.

Mbrëmja përfundoi me vallëzimet ‘Blessing Flowers’ dhe ‘Isan Ban Hao’.