Vjosa Osmani në Bruksel | Foto: Komisioni Evropian

Vjosa Osmani largohet nga Brukseli, niset për në Tajlandë e Singapor

Nga Brukseli, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për një vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor ku do të takohet me përfaqësues të lartë shtetëror të këtyre dy shteteve.

Zyra e Presidentes së Kosovës ka njoftuar se kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit të Kosovës në këto dy shtete të Azisë Juglindore.

“Gjatë qëndrimit në Tajlandë, Presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri i Tajlandës Prayut Chan-o-cha. Kurse në Samitin ‘Global Summit of Ëomen’, Presidentja Osmani do të flasë për rolin dhe potencialin e grave në realitetin e ri”, thuhet në njoftimin nga zyra e presidentes.

Osmani gjatë kësaj vizite do të marrë pjesë edhe në një forum ekonomik të organizuar nga Këshilli Diplomatik dhe Oda Ekonomike e Tajlandës ku do të diskutohen mundësitë e tërheqjes së investitorëve nga ky shtet, por edhe mundësive ekonomike që i ofron Kosova.

“Pas vizitës në Tajlandë, Presidentja Osmani do ta vazhdojë vizitën në Singapor, ku pritet të takohet me homologen e saj, Presidenten Halimah Yacob, kryetarin e Parlamentit z.Tan Chuan-Jin, ministren e Lartë të Shtetit për Zhvillim Kombëtar dhe Punë të Jashtme, znj. Sim Ann dhe me Ministrin e Lartë të Shtetit, dr. Mohamad Maliki Bin Osman”, përfundon njoftimi.

Të enjten, Osmani mori pjesë në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku në mes tjerash u diskuata edhe për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Vjosa Osmani në samitin e BE-së: Jam e vetmja këtu që më duhet të marrë vizë