Foto: BBC

Mercenarët e grupit Wagner mbërrijnë në Bjellorusi, Polonia përforcon kufirin

Mercenarët e grupit privat rus Wagner gjenden në Bjellorusi, thanë të shtunën zyrtarët ukrainas dhe polakë, një ditë pasi Minsku njoftoi se ata po stërvisnin ushtarët bjellorusë në juglindje të kryeqytetit.

“Wagner gjendet në Bjellorusi”, shkruajti në një mesazh në rrjetin Telegram zëdhënësi i agjencisë ukrainase për kufirin, Andriy Demchenko. Ai tha se ishin pikasur në Bjellorusi “grupe të veçanta” të zhvendosura nga Rusia.

Disa luftëtarë të grupit Wagner kishin mbërritur në Bjellorusi që të martën, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters dy burime të afërta me luftëtarët.

Ministria bjelloruse e mbrojtjes qarkulloi të premten një video, ku sipas saj duken luftëtarë të grupit Wagner duke stërvitur ushtarët bjellorusë në një kamp ushtarak pranë qytetit Osipovichi.

Sipas Presidentit rus Vladimir Putin, kjo zhvendosje e grupit Wagner drejt Bjellorusisë ishte pjesë e marrëveshjes që i dha fund rebelimit në qershor, kur mercenarët morën kontrollin e një shtabi të ushtrisë ruse, marshuan drejt Moskës dhe për pak e futën Rusinë në luftë civile.

Drejtuesi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, nuk është parë më në publik që kur u largua nga qyteti jugor rus Rostov-on-Don, në orët e vona të datës 24 qershor.

Zëvendësministri për koordinimin e shërbimeve speciale të Polonisë, Stanislaw Zaryn, tha se edhe Varshava ka konfirmuar praninë në Bjellorusi të luftëtarëve të grupit Wagner.

“Mund të jenë aktualisht disa qindra prej tyre”, shkruajti Zaryn në Twitter./VOA