Donald Tusk - Foto: Facebook

Polonia tërheq 50 ambasadorë të emëruar nga ish-qeveria e krahut të djathtë

Polonia po kalon përmes një tronditje të rëndësishme diplomatike, pasi po i tërheq 50 ambasadorë të saj në një përpjekje të udhëhequr nga qeveria e re pro Bashkimit Evropian. 

Ministria e Jashtme e Polonisë e ka theksuar domosdoshmërinë e kësaj lëvizje për ta rritur efektivitetin e misioneve të saj diplomatike, veçanërisht gjatë një periudhe sfiduese.

Sipas deklaratës së ministrisë, zëvendësimi i këtyre të dërguarve konsiderohet thelbësor për ekzekutimin më të mirë dhe më profesional të objektivave të politikës së jashtme të Polonisë. 

Kryeministri Donald Tusk nënvizon rëndësinë e të paturit të një ekipi me ambasadorë të përkushtuar, veçanërisht në aspekt të mbrojtjes së Ukrainës fqinje kundër luftës në shkallë të gjerë të Rusisë. Tusk sqaroi se ky veprim nuk synon të jetë si hakmarrje ndaj paraardhësve të tij.

Të gjithë diplomatët e tërhequr u emëruan gjatë mandatit të administratës së mëparshme të krahut të djathtë, e cila qeveriste me Poloninë për tetë vjet deri në dhjetor të vitit të kaluar. Pas fitores së një aleance trepalëshe opozitare në zgjedhjet e Polonisë, Donald Tusk mori rolin e kryeministrit.

Edhe pse deklarata e qeverisë nuk i specifikoi emrat e ambasadorëve të tërhequr ose nuk jepte detaje në lidhje me zëvendësimet e tyre ose shkurtimet e mundshme në postimet e huaja, ministria konfirmoi se procesi i tërheqjes ka filluar.

Raportet sugjerojnë se tërheqja e diplomatëve mund të përballet me kundërshtimin e presidentit Andrzej Duda, i cili mban lidhje me qeverinë e mëparshme të krahut të djathtë dhe ka shprehur kritika ndaj Tusk. Në rast se Duda nuk i miraton ndryshimet, të ngarkuarit me punë do të udhëheqin përkohësisht misionet në vendet ku janë tërhequr ambasadorët.

Tusk shprehu vlerësimin e tij për punën e ambasadorit të Polonisë në SHBA, Marek Magierowski, duke lënë të kuptohet se ky i dërguar i veçantë mund të mos jetë subjekt i tërheqjes.

Gjatë mandatit të saj, partia nacionaliste në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) u përball me akuza për minimin e sundimit të ligjit, kufizimin e të drejtave të abortit dhe shënjestrimin e pakicave. Këto veprime çuan në konflikte me BE-në për çështje të tilla si pavarësia e gjyqësorit dhe të drejtat e LGBTQ+.

Me marrjen e detyrës në dhjetor, Tusk u zotua t’i adresojë këto shqetësime, duke premtuar se do të “rregullojë gjithçka” dhe të sigurojë që të gjithë në Poloni të ndihen si në shtëpinë e tyre, pavarësisht nga prejardhja ose besimet e tyre./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala