Basri Ibrahimi, menaxher i 'Trepçës'. Foto: Kallxo.com

Menaxheri i Trepçës për protestën e banorëve të Shalës së Bajgorës: Do të ketë prapë konkurse

Banorët e Shalës së Bajgorës sot protestuan para objektit të menaxhmentit të Trepçës për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre për mospranim në punë në konkursin e hapur muaj më parë.

Sipas banorëve të cilët moren pjesë në protestë, ata ishin anashkaluar pas aplikimit që kishin bërë për t’u punësuar në këtë ndërmarrje.

Por menaxheri i Trepqës, Basri Ibrahimi, ka thëne se procedura e rekrutimit ka shkuar sipas rregullatives ligjore dhe janë përzgjedhur ata që e kanë merituar.

“Procedura e rekrutimit ka shkuar plotësisht në përputhje me rregullativen, janë seleksionuar ata të cilët komisioni i ka vlerësuar se janë më të mirët dhe që në një farë mënyre e kanë merituar që të seleksionohen dhe janë shpallë listat publike për t’u pranuar në punë”, tha Ibrahimi.

Tutje Ibrahimi ka shtuar se nuk është anashkaluar Shala ashtu siç po pretendojnë banorët dhe se rreth 80% e të pranuarve janë nga Shala e Bajgorës.

“Ne do të mundohemi të marrim të gjitha masat në kuadër të kornizës ligjore… Thuhet se është anashkaluar Shala por fare nuk mund të themi një gjë të tillë nuk është anashkaluar askush. Eshtë shumë normale se pjesa dërmuese nëse shikojmë me një sy të thjeshtë shihet se mbi 80% janë shaljanë kështu që nuk është anashkalaur Shala siç pretendohet… në konkurs nuk mund të veçohet Shala, Drenica ose ndonjë regjion tjetër por merret në bazë të kritereve”, theksoi Ibrahimi.

“Por vetvetiu është e natyrshme se janë seleksionuar kryesisht shaljanë sepse ata kryesisht kanë konkuruar sepse nuk kanë konkuruar prej viseve tjera sepse edhe nuk e njohin minierën, punën në minierë ose fllotacion prandaj edhe në mënyre natyrore pjesa dërmuese janë shaljanë”, tha tutje Ibrahimi.

Po ashtu menaxheri i Trepçës ka thënë se janë seleksionuar ata të cilët i kanë kaluar testet me shkrim e të cilët ishin intervistuar me gojë dhe janë seleksionuar pjesa dermuese janë shaljan dhe të rrethit të Mitrovicës.

“Ne do të kemi prapë konkurse sepse do të punësohen prapë punëtor të rinj sepse është një numër i madh i punëtorëve  të punësuar posaçërisht në Trepçë që për pesë vitet e ardhshme do të dalin në pension, 430 punëtorë”, tha Ibrahimi.