Dënohen me nga 6 mijë euro anëtarët e bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, nuk zbatuan vendimin e Inspektoratit të Punës
Katër anëtarët e bordit të përkohshëm mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça” janë gjobitur me nga 6 mijë euro nga Inspektorati i Punës në Mitrovicë.
KALLXO.com siguroi vendimin e Inspektoratit të Punës, i cili mban datën 17.08.2020, e ku shqiptohet masa ndëshkimore ndaj Sylejman Hysenit, kryesues i bordit të përkohshëm mbikëqyrës, Bahri Hysenit, Shyqeri Kelmendit dhe Shyqeri Sadikut, anëtarë të këtij bordi.
Shkak i kësaj gjobe, që kap vlerën e 24 mijë eurove, për katër anëtarët e përkohshëm të bordit mbikëqyrës, është një vendim që këta kishin marrë kohë më parë për shkarkimin e Basri Ibrahimit nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të “Trepçës”.
Ndaj vendimit për shkarkim, Ibrahimi ishte ankuar në Inspektoratin e Punës i cili e kishte vlerësuar si të bazuar ankesën e tij.
Inspektorati i Punës me një vendim tjetër kishte obliguar bordin mbikëqyrës që ta kthejë në vendin e punës Basri Ibrahimin, i cili para se të bëhej kryeshef ekzekutiv në “Trepçë” drejtoi institucionin e Inspektoratit të Punës për disa vite.
Por, vendimin për kthimin e Ibrahimit në vendin e punës nuk e pranoi bordi mbikëqyrës. Katër anëtarët e përkohshëm apeluan në shkallë të dytë por edhe shkalla e dytë e Inspektoratit të Punës kishte nxjerrë vendim në favor të Basri Ibrahimit.
E pasi as vendimin e shkallës së dytë nuk e zbatoi bordi i përkohshëm mbikëqyrës i “Trepçës”, Inspektorati i Punës vendosi që të shqiptojë një masë ndëshkimore për secilin anëtar, Sylejman Hyseni, Bahri Hyseni, Shyqeri Kelmendi dhe Shyqeri Sadiku.
Më poshtë mund ta gjeni të plotë vendimin e Inspektoratit të Punës: