Protestuesit e Shalës mirëpresin shkarkimin menaxherit të "Trepçës"

Dhjetëra qytetarë të Shalës së Bajgores patën protestuar për pesëmbëdhjete ditë me radhë në shenjë pakënaqësie lidhur me konkursin e fundit të punësimeve në ndërmarrje “Trepça”.

Konkursi ishte shpallur më 24 shtator 2019, ndërsa do të pranoheshin në punë 220 punëtorë të rinj, por shpallja e kandidatëve të suksesshëm kishte ngritur dyshime për keqpërdorime.

Këta banorë si kërkesa kryesore kishin shkarkimin e Bordit, shkarkimin e menaxherit të Trepçës Basri Ibrahimin dhe anulimin e këtij konkursi.

Një muaj me pas, ata shohin të dy kërkesat e plotësuara pasi që pas shkarkimittë bordit dhe emërimit të një bordi të përkohshëm, sot është shkarkuar edhe menaxheri Basri Ibrahimin.

Këtë vendim e ka marrë Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i drejtorëve të Trepçës pas një takimi të jashtëzakonshëm, të cilën e ka mbajtur sot paradite.

Kjo mbledhje ka ardhur për shkak të protestave që kanë mbajtur sot minatorët e Trepçës duke ndalur punën për shkak se nuk i kanë marrë ende pagat.

Ky takim ishte mbajtur me dy pika të rendit të ditë, shqyrtimi i pagave për muajin mars dhe shkarkimi i kryeshefit aktual ekzekutiv Basri Ibrahimi.

Ndërsa në mënyre unanime bordi ka marrë vendim që nga mjetet vetanake të “Trepçës” të paguhen pagat për Minierën me Fllotacion në Stantërg, dhe vendimi tjetër ishte shkarkimi nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, Basri Ibrahimi – ndërsa vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë.

Arsim Musa nga Këshilli protestues i banorëve të Shalës ka thënë për KALLXO.com se e kanë mirëpritur shkarkimin e Ibrahimit pasi, sipas tij, kjo ka qenë njëra nga kërkesat e tyre, ani pse kjo është bërë me vonesë por ai ketë e ka quajtur sukses.

“Po kemi marrë njoftimin, ne e kemi mirëpritë shkarkimin e këtij menaxheri për shkak se situata ka qenë e ditur  më herët, para dy tre muajve edhe nga shpallja e konkursit ku ka pasur parregullsi shumë. Ky ka qenë një konkurs tipik politik, ka pasë shkelje të mëdha gjatë rekrutimit të përzgjedhjes dhe kandidatëve për punësime në Trepçë, për këtë arsye në kemi dalë në protestë. Po shihet që protesta ka pasur sukses, shkarkimi ka ndodh pak me vonesë por i suksesshëm”, ka thënë Musa.

Musa ka shtuar se janë realizuar dy prej tri kërkesave që kanë pasur gjatë 15 ditëve të protestave, ndërsa tani kërkojnë nga bordi aktual mbikëqyrës që konkursin e shpallur ta kthejnë një pikën zero.

“I propozojmë bordit të ri mbikëqyrës që të anulojnë konkursin, ta kthejnë në pikën zero, sepse vetëm konkursi ka mbete me ra, për shkak që me u shqyrtu kërkesat e punësimit ku janë marrë njerëzit familjarë, bordi është shkarkuar, menaxheri është shkarkuar me herët, këto kanë qenë edhe tri pikat kryesore të protestës tonë pesëmbëdhjetë ditorë “, tha Musa për KALLXO.