Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Memli Krasniqi për rastin e foshnjës në Pejë: Çfarë duhet të ndodhë më shumë që Qeveria ta marrë seriozisht shëndetësinë?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar lidhur me foshnjën që dyshohet se ishte futur në një rrobalarëse në Spitalin e Pejës.

Krasniqi ka thënë se çfarë duhet të ndodhë më shumë që kjo qeveri ta marrë seriozisht shëndetësinë.

Ai po ashtu përmendi edhe vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së tre javë më parë.

“Edhe çka tjetër duhet me ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri me marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast? Vetëm tri javë më parë një grua u vra në oborrin e një institucioni shëndetësor publik”- është shprehur Krasniqi.

Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë që të caktojë sa më shpejt ministër dhe t’u dalin zot pacientëve.

“A i ka mbetur fije morali ndokujt në këtë Qeveri, apo të gjithë shikojnë vetëm postet dhe privilegjet personale? Caktojeni atë ministër sa më shpejtë, Kryeministër e dilni zot pacientëve. Krimi ta ka kapluar sektorin. I shokuar”- shtoi tutje Krasniqi.

Një foshnje e lindur pa shenja jete, javën e kaluar në  Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, po dyshohet se është futur në rrobalarëse.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Foshnja e lindur pa shenja jete në Spitalin e Pejës dyshohet se u fut në rrobalarëse