Mehaj: Projektligji i Senatit amerikan parasheh bashkëpunimin me Kosovën në fushën ushtarake

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se është për t’u përshëndetur projektligji i Senatit amerikan, i cili parasheh bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën ushtarake.

Mehaj tha se përmes këtij projektligji, ushtritë do të angazhohen në stërvitje të përbashkëta.

“Sipas këtij projektligji ushtria jonë së bashku do të angazhohen në trajnime dhe stërvitje të përbashkëta ushtarake të udhëhequra nga SHBA. Ngritja e kapaciteteve tona, shkollimi, trajnimet, misionet dhe operacionet ushtrake, janë zhvilluar dhe do të zhvillohen gjithnjë në bashkëpunim dhe me mbështetje SHBA-të si partneri ynë strategjik”- ka thënë Mehaj.

Në maj të këtij viti,  Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe 23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Ushtrimi fushor “Defender Europe” është ushtrim vjetor i shkallës së gjerë që drejtohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë.

Kosova ishte pjesë e “Defender Europe 21” ndërsa planifikohej të ishte pjesë edhe këtë vit.