Leposaviq, Foto: KALLXO.com

Zhvillimet e fundit në veri

17:25 – Disa pjesëtarë të KFOR-it largohen nga Leposaviqi

Disa pjesëtarë të KFOR-it të cilët kanë qenë duke qëndruar në afërsi të Komunës së Leposaviqit janë larguar nga aty.

Numri i protestuesve është më i vogël në krahasim me pjesën e parë të ditës. 

Ekipe të KALLXO.com që janë në terren ju sjellin pamje nga vendi i ngjarjes:

16:51 – Shpërndahen shumica e protestuesve në Leposaviq, shkak edhe reshjet e shiut

 Në Komunën e Leposaviqit ka filluar shpërndarja e protestuesve kjo edhe për shkak të reshjeve të shiut.

Protestuesit që nga orët e mëngjesit ishin mbledhur afër objektit të Komunës.

Pranë objektit të komunës gjatë tërë ditës kanë qenë pjesëtarët e KFOR-it ndërsa brenda rrethojave me gjemba kanë qenë edhe dy autoblinda të Policisë së Kosovës.

16: 50 – Borrell: Kam biseduar me Kurtin dhe Vuçiq, jemi duke punuar për një takim urgjent të nivelit të lartë

Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar se këtë mëngjes sërish ka folur me kryeministrin Albin Kurti dhe gjatë natës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Borrell thotë se ka kërkuar nga të dyja palët që urgjentisht të marrin masa për të ulur tensionet menjëherë dhe pa kushte.

“Kam kontaktuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti përsëri këtë mëngjes dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, gjatë natës. I kërkova të dyja palëve që urgjentisht të marrin masa për të ulur tensionet menjëherë dhe pa kushte. Dhe çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm duhet të shmanget dhe të rivendoset qetësia”- ka deklaruar Borrell. 

“Si hap i parë, pres që autoritetet e Kosovës të pezullojnë operacionet policore me fokus në ndërtesat komunale në veri të Kosovës dhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen. Unë do të vazhdoj të angazhohem me dy liderët”- shton ai. 

Borrell thotë se nga palët pret që të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri dhe siguri për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes së re në rrugën drejt normalizimit.

“Për këtë, unë jam duke punuar në organizimin e një Takimi urgjent të Dialogut të Nivelit të Lartë të mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak”- ka shtuar ai.

 

16:47 – Shpërndahen protestuesit në Zveçan

Pjesa më e madhe e protestuesve që qëndruan nga mëngjesi i sotëm më Zveçan është shpërndarë.

Ekipi i KALLXO.com po raporton se janë diku më pak se 10 persona që shihen në rrugën ku gjatë ditës ishte më dhjetëra qytetarë serb.

Një kompani serbe është duke e pastruar rrugën që të dërgon në objektin e komunës së Zveçanit.

Protestuesit sot qëndruan përball kordonit dhe pengesave të KFOR-it.

 

16:44 Kryetari i Leposaviqit që nga dje vazhdon të jetë brenda objektit të komunës

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi ka konfirmuar për KALLXO.com se ende, që nga dje gjendet në objektin e Komunës.

Hetemi tha se janë “mirë” ndërsa tha se situata është e qetë.

“Po, jemi ende në komunë. Mirë jemi shumë. Situata e qetë deri në këto momente”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Pranë objektit të Komunës së Leposaviqit janë pjesëtarët e KFOR-it. Sot aty kanë shkuar edhe pjesëtarë të KFOR-it amerikan.

Brenda rrethojave me gjemba të vendosur në objektin e komunës gjenden edhe dy autoblinda të Policisë së Kosovës.

Ekipet e Policisë së Kosovës që kanë shoqëruar kryetarin, Lulzim Hetemin edhe ata gjenden brenda objektit të komunës.

 

16:23 – Ambasadori suedez në Kosovë viziton Zveçanin

Ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund sot ka vizituar Zveçanin.

Ai ka qenë i shoqëruar nga Aleksandar Arsenijeviq, kryetar i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”.

Ata së bashku kanë qëndruar për pak momente pranë kordonit dhe pengesave të vendosura nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ambasadori nuk pranoi të deklarohej për media lidhur me këtë vizitë të tij.

15:43 – Vetura e Periskopit është gjuajtur me plumba gjatë natës në Zveçan 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, AGK ka bërë të ditur se pasi disa vetura të ekipeve mediale kanë mbetur të bllokuara mbrëmë në Zveçan, gjatë ditës së sotme janë gjetur të dëmtuara.

FOTO – AGK

Vetura e Periskopit, sipas pamjeve është gjuajtur me plumba.

“Veturat e disa prej ekipeve mediale nga Prishtina, mbrëmë kanë mbetur të bllokuara në Zveçan, pas largimit të gazetarëve dhe kameramanëve, disa orë pas përleshjeve mes KFOR-it dhe serbëve lokalë. Pas KTV-së dhe T7, edhe portali online “Periskopi” e ka gjetur veturën sot të dëmtuar, dhe në bazë të pamjeve në drejtim të saj janë gjuajtur plumba”- thuhet në njoftim.

AGK potencon se sulmet në drejtim të mediave vetëm sa po intensifikohen tutje. 

“Gazetarët vazhdojnë të raportojnë në kushte të rënda, ndërsa rreziku vazhdon të shtrihet në të gjitha komunat në veri të vendit”- thekson më tej AGK.

15:39 – KFOR-i monitoron situatën në Leposaviq me helikopter

Ekipi i KALLXO.com që gjendet në Leposaviq, raporton se KFOR-i po monitoron situatën edhe me helikopter.

Rreth objektit të Komunës së Leposaviqit janë të vendosur edhe trupat e KFOR-it, ndërsa përballe tyre jashtë rrethojave, qëndrojnë protestuesit serbë.

Pamje nga Leposaviqi:

15:12 – NATO dislokon forca shtesë në Kosovë

Si përgjigje ndaj trazirave të fundit dhe plagosjes së 30 pjesëtarëve të Forcave të KFOR-it në Kosovë, NATO ka nisur vendosjen e Forcave Rezervë Operative (ORF) për Ballkanin Perëndimor, që ishte me status 7 ditë gatishmërie për zbarkim.

Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli përmes një komunikate, ka bërë të ditur se një batalion shtesë shumëkombësh i forcave rezervë është urdhëruar të zvogëlojë gatishmërinë e statusit për zbarkim nga 14 ditë në 7 ditë, në mënyrë që të jenë gati të përforcojnë KFOR-i nëse është e nevojshme.

KFOR-i në veri, 29 maj 2023
Foto: Afrim Ejupi/ KALLXO.com

15:10 – Gazetari zviceran sfidon zëdhënësin e BE-së: Pse po dënoni të dyja palët, dhuna erdhi vetëm nga njëra palë? 

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano është pyetur sot nga një gazetar zvcierian se pse ka deklaruar se dënojnë të dyja palët për zhvillimet në veri, kur sipas gazetarit dhuna u shkaktua vetëm nga njëra palë.

Israel Stephan nga gazeta zvicerane Tages-Anzeiger, tha se ai ka parë dhunë vetëm nga njëra palë.

Video e plotë:

14:34 – Ushtarët hungarezë të lënduar në Zveçan pritet të kthehen në Hungari

Ushtarët hungarezë të KFOR-it të cilët mbetën dje të lënduar nga dhuna e protestuesve në Zveçan do të kthehen në Hungari.

Në një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes në Hungari thuhet se një aeroplan është nisur të hënën në mbrëmje me qëllim që t’i sjellë në Hungari ushtarët e lënduar.

Nga Hungaria në Kosovë ka udhëtuar edhe një ekip i mjekëve.

14:15 – Forca të KFOR-it pozicionohen në Komunën e Leposaviqit

Forca të shtuara të KFOR-it janë parë para disa minutash duke hyrë drejt ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.

Ekipi i KALLXO.com është duke raportuar drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes.

Gazetarja e KALLXO.com, Adelina Ahmeti po raporton se ushtarakët amerikan janë brenda objektit të Komunës.

Siç shihet edhe në pamje pranë objektit të Komunës ndodhen edhe disa automjete të KFOR-it. 

Situata, sipas gazetares, aktualisht është e qetë.

 

14:14 – Ushtarë shtesë të KFOR-it në Leposaviq

Gazetarja e KALLXO.com Adelina Ahmeti nga vendi i ngjarjes raporton se ushtarë shtesë KFOR-it kanë filluar të pozicionohen tek stacioni policor.

 

Leposaviq, Foto: KALLXO.com
Leposaviq, Foto: KALLXO.com

14:06 – Dëmtohen veturat e dy ekipeve të gazetarëve nga Shqipëria

Veturat e ekipeve të gazetarëve nga Shqipëria, nga mediumet A2 CNN dhe TV Panorama, u janë thyer xhamat.

Ekipi i KALLXO.com që po raporton nga Leposaviqi, sjellë fotografi në të cilat shihen shihen xhamat e thyer.

Xhamat e TV Panorama sipas fotografive shihet se janë thyer nga gurët e hedhur.

Foto: KALLXO.com

13: 43 – Dëmtohet vetura e ekipit të ATV-së në Zveçan

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi ekipit të mediumit ATV iu është dëmtuar vetura gjatë raportimeve në Zveçan.

Sipas AGK-së vetura e ATV-së ka qenë cak i sulmit nga protestuesit serbë, të cilës i janë shpërthyer gomat veturës me qëllim të pengimit të raportimit.

“Kjo situatë me të cilën po përballën gazetarët është tejet shqetësuese, dhe po rëndohet çdo herë e më shumë, pasi ata po vazhdojnë të jenë target i protestuesve serbë”- thuhet në reagim.

AGK u ak bërë thirrje të gjithë gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve e ekipeve të tyre, që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe në rast nevoje t’i drejtohen për ndihmë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë prezent atje.

13:24 – KFOR fillon të përgatitet për vendosjen e telave me gjemba në Zveçan

Tela me gjemba pritet të vendosen afër objektit të komunës në Zveçan.

Ushtarët e misionit të NATO-s, KFOR, kanë filluar që të kryejnë përgatitjet e nevojshme për vendosjen e këtyre telave.

Po ashtu, pengesa janë vendosur edhe në një hyrje tjetër që lejojnë qytetarët të futen brenda në perimetrin e siguruar nga KFOR-i.

Situata në këtë komunë aktualisht është e qetë, përderisa protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë pranë pengesave e kordonit që KFOR ka krijuar.

 

13:44 AGK: Vandalizohet vetura e Kanal 10 në Zveçan

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi ekipit të televizionit Kanal 10 iu është dëmtuar vetura gjatë raportimeve në Zveçan.

Sipas AGK-së, gazetarëve nuk po u ofrohet mbrojtje e drejtpërdrejtë nga KFOR, dhe prezenca tjetër ndërkombëtare në atë pjesë të vendit. 

“Këto sulme në drejtim të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë po intensifikohen, ndërsa ata vazhdojnë të raportojnë në kushte shumë të rënda.Për AGK-në, është e papranueshme gjendja e gazetarëve, të cilët janë targeti i vazhdueshëm i protestuesve serbë” – thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja, u bën thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve. 

Ndërsa, gazetarëve iu kanë bërë thirrje që t’iu përmbahen intruksioneve të Policisë së Kosovës.

Foto: AGK

13:42 – Protestuesit po tentojnë ta vendosin flamurin serb në rrethojat e vendosura nga KFOR-i në Leposaviq

Protestuesit në Leposaviq po tentojnë të vendosin flamurin e Serbisë në telat me gjemba që ka vendosur KFOR-i.

Dy persona shihen në pamje të cilët shkojnë drejt trupave të KFOR-it për të vendosur flamurin serb.

Sot gjatë ditës gazetarët në Leposaviq janë përballur me sulme dhe pengesa për të raportuar atje.

Momentalisht para gazetarëve janë duke qëndruar një grup i grave të cilat po pengojnë raportimin e gazetarëve. Ato po tentojnë të mbulojnë pamjet të cilat gazetarët po mundohen t’i xhirojnë.

Ekipi i KALLXO.com dhe mediat e tjera janë gjuajtur me vezë ndërsa protestuesit edhe kanë shtyrë gazetarët.

13:15 – Zubin Potok – Dritaret e shtëpisë së shëndetit të mbushura me flamuj të Serbisë

Pothuajse secila dritare e shtëpisë së shëndetit në Zubin Potok po mban nga një flamur të Serbisë 

Kjo shtëpi shëndeti gjendet përball ndërtesës komunale, e cila aktualisht është duke u siguruar nga forca të Policisë së Kosovës.

Në afërsi të dy institucioneve gjenden edhe trupa e automjete të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Në anën tjetër, protestuesit në këtë qytet po vazhdojnë të qëndrojnë në tendat që i kanë vendosur pranë komunës.

Situata në Zubin Potok dje është raportuar të jetë më e qetë në krahasim me dy komunat tjera, Leposaviq e Zveçan.

Shtëpa e shëndetit në Zubin Potok
30.05.2023
Shtëpa e shëndetit në Zubin Potok
30.05.2023

 

 

13:10 – Objekti i komunës së Zubin Potokut po sigurohet nga Policia e Kosovës

Për dallim nga dy komunat tjera në veri, Leposaviq e Zveçan ku siguria e objekteve komunale po ofrohet nga KFOR, ndërtesa komunale në Zubin Potok po sigurohet nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët policor që po kryejnë detyrat e veta në këtë komunë, pranë tyre kanë vendosur edhe disa pengesa.

Vetëm 50 metra larg komunës, janë parë disa trupa të KFOR-it, ndërsa poshtë ndërtesës së komunës u panë edhe ekipe të tjera të misionit të NATO-s.

Ekipi i KALLXO.com është duke raportuar nga veriu i vendit për situatën aktuale.

Në Zubin Potok është parë se me dhjetëra protestues janë duke qëndruar pranë komunës së këtij qyteti.

Ata kanë vendosur disa tenda në të cilat po qëndrojnë e gjatë shumicës së kohës po dëgjojnë muzikë në gjuhën serbe.

Përderisa flamuri i Kosovës në këtë objekt sot është zhvendosur në ballkonin e katit të dytë.

12:36 – Momenti kur persona të maskuar i shtyjnë gazetarët në Leposaviq

Disa persona të maskuar në mesin e protestuesve në Leposaviq kanë penguar punën e gazetarëve.

Në pamje e KALXLO.com, shihen persona të maskuar të cilët shtyjnë gazetarët duke i penguar ata që të kryejnë punën e tyre.

Ekipi i KALLXO.com ishte në transmetim direkt, kur disa protestues të maskuar fillojnë t’i shtyjnë gazetaren Adelina Ahmeti dhe kameramanin Jetmir Hoxha dhe gazetarët e kamermanët e tjerë të pranishëm.

Përveç shtyrjes, gazetarët janë gjuajtur me vezë dhe gjësende të tjera nga protestuesit.

Për shkak të kësaj situatë, gazetarët tani janë larguar disa metra larg komunës, në pamundësi për të raportuar nga vendi i ngjarjes.

Protesta në Leposaviq
30.05.2023
Protesta në Leposaviq 30.05.2023

12:34 – Protestuesit në Leposaviq thërrasin në kor “Ik në shtëpi, Lulzim!”

 

12:15 – Komunikimi i pjesëtarit të KFOR-it me një protestues në Leposaviq

“Përderisa të jetë e qetë këtu, ne mund të ofrojmë dialog”.

Komunikimi i pjesëtarit të KFOR-it me një protestues në Leposaviq.

 

11:54 – Zyrtari evropian për Paqe dhe Siguri vizitë në Kosovë

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje, Charles Fries, ka nisur sot vizitën dyditore në Kosovë, ku do të takohet me përfaqësues të Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile. 

Misioni ELUEX përmes një njoftimi bënë të ditur se gjatë qëndrimit të tij, Fries do të vizitojë edhe të gjitha objektet e EULEX-it në Kosovë.

“Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i EEAS për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje, Charles Fries, ka nisur sot vizitën e tij dyditore në Kosovë, ku do të takohet me përfaqësues të autoriteteve të Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile.

Gjatë qëndrimit të tij, Fries do të vizitojë edhe të gjitha objektet e EULEX-it në Kosovë”- thuhet në njoftimin e tyre. 

 11:54- Policia jep detaje për makinat e dëmtuara nga protesta e të premtes në Zveçan

Në protestën e qytetarëve në Zveçan më 26 maj në kundërshtim të kryetarit të ri, protestuesit kanë djegur tërësisht një automjet të policisë, si dhe kanë dëmtuar dy tjera të njësisë speciale.

Sipas policisë, dy automjeteve të njësisë speciale u janë shpuar gomat, hedhur ngjyrë e shkruar grafite nacionaliste.

Rasti është cilësuar si ‘Sulm ndaj rendit kushtetues dëmtim apo asgjësim i pasurisë’.

“Zveçan, 26.05.2023. Gjatë zhvillimeve të protestës, grupe ekstremisht të dhunshëm, kanë eskaluar duke djegur tërësisht një automjet të PK-së,  janë dëmtuar dy automjete të njësisë speciale (shpuar gomat, u është hedhur ngjyrë dhe janë shkruar grafite nacionaliste.  Në lidhje me këtë është konsultuar prokurori kujdestar i shtetit për krime të rënda nga i cili kemi marr udhëzimet në lidhje me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

11:49 – Policia nis hetim për tri automjete të EULEX-it që u dëmtuan të premten

Në protestën e ditës së premte të qytetarëve në Zveçan në kundërshtim të kryetarit të ri janë dëmtuar tre automjete të EULEX-it.

Më datë 29 maj policia ka inicuar rast hetimi  për dëmet e shkaktuara nga protestuesit e dhunshëm. 

Rasti është cilësuar si ‘Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare’.

“Zveçan 26.05.2023 – 15:25. Me datën 29.05.2023 është iniciuar rasti pasi protestuesit e dhunshëm kanë dëmtuar tre automjete të EULEX-it. Rasti është duke u hetuar”- thuhet në njoftimin e policisë.

11:49 – Vazhdon protesta e serbëve pranë Komunës së Zveçanit 

Në krye me udhëheqësit e Listës Serbe, Goran Rakiq e Igor Simiq po vazhdon ne Zveçan protesta e qytetarëve serb. 

Protesta në fjalë filloi dje në mëngjes, e diku rreth orës 16:30 pati tensione të shtuara. 

Nga këto tensione, 30 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan e pesë persona të dyshuar u arrestuan për sulmet që u kryen dje. 

Me aq çfarë është parë në mëngjesin e sotëm, KFOR ka shtuar pengesat në afërsi të komunës, të cilat pamundësojnë lëvizje të lirë për të pasur qasje në objektin komunal. 

Një kordon i KFOR-it po qëndron prapa këtyre pengesave, përderisa gazetarë të mediave të ndryshme janë në mes protestuesëve e pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë.

Vazhdon protesta e serbëve pranë Komunës së Zveçanit, Foto: KALLXO.com
Vazhdon protesta e serbëve pranë Komunës së Zveçanit, Foto: KALLXO.com
Vazhdon protesta e serbëve pranë Komunës së Zveçanit, Foto: KALLXO.com

11:44 – Ish kryetari i Leposaviqit mblidhet me protestuesit pas bisedës me komandantin e KFOR-it

Disa protestues në Komunën e Leposaviqit janë mbledhur në kishën ortodokse për të biseduar me ish-kryetarin, Todiq Sllavko Simiq pas diskutimit që ai pati me komandantin e KFOR-it në këtë qytet.

Todiq u ftua nga komandanti i KFOR-it në një bisedë e cila u bë brenda rrethojave të vendosura nga KFOR.

Menjëherë pasi përfunduan bisedën Todiq nuk pranoi të flas se çka u morën vesh me komandantin e KFOR dhe cila është zgjidhja.

Protestuesit penguan gazetarët që të parashtronin pyetje ndaj Todiq ndërsa aktualisht i njëjti me rreth 100 persona është duke zhvilluar një takim larg syrit të mediave.

Takimin Todiq po e mban në hapësirat e kishës ortodokse që gjendet përballë Komunës së Leposaviqit.

11:06 – Federata Evropiane e Gazetarëve për situatën në Kosovë: Autoritetet të mbrojnë gazetarët

Federata Evropiane e Gazetarëve (IFJ) u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të mbrojnë gazetarët dhe të sigurojnë se mund të raportojnë në mënyrë të sigurtë.

Reagimi i tyre vjen pas disa sulmeve ndaj shumë makinave të mediave që po raportonin gjatë ditës së hënë nga komunat në veri të Kosovës.

“Gazetarët janë sulmuar dhe automjetet e transmetuesve mediatikë janë vandalizuar në veri të Kosovës. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të mbrojnë gazetarët dhe të sigurojnë se ata mund të raportojnë në mënyrë të sigurt”- thuhet në reagimin e tyre.

Gjatë ditës së hënë shumë makina të mediave janë dëmtuar duke u thyer xhamat, shpuar gomat dhe vënë grafite nacionaliste, madje ka pasur edhe djegie të tyre.

Aktet e dhunës ndaj mediave janë dënuar nga shumica e vendeve të QUINT-it, qeveria si dhe Organizata të ndryshme.

11:03 – Ekipi i KALLXO.com raporton LIVE nga Leposaviqi

10:42 – Protestuesit në Leposaviq e nisin ditën me muzikë, protestës i prin ish kryetari i Leposaviqit

Ish kryetari i Leposaviqit Zoran Todiq gjatë ditës është parë së bashku me pjesëtarin e Listës Serbe Slavko Simiq duke i prirë edhe sot protestës në këtë komunë.

Ai në një bisedë me komandantin e ekipit i cili po siguron perimetrin e komunës nga KFOR-i  kërkoi që të lirohet objekti i komunës nga kryetari dhe policia.

Gjatë bisedës ushtaraku amerikan i thotë Todiq se do të flas me kryetarin por që nuk i premton asgjë nëse kërkesat që u shfaqën nga ai do të plotësohen.

Todiq tha se aty janë duke bërë një protestë paqësore dhe nuk duan që të përsëritet situatë sikurse në komunat e tjera.

Todiq tha se protestuesit duan që të largohen policia e kryetari nga komuna në mënyrë që punëtorët serb të nisin punën e tyre.

“Leposaviqi ka ndaluar së funksionuari”- thotë Todiq gjatë bisedës.

KALLXO.com po qëndron në Leposaviq ku ka parë nga afër se disa prej protestuesve kanë që nga mëngjesi i djeshëm që po qëndrojnë në afërsi të komunës së Leposaviqit e te tjerë janë bashkangjitur ndërkohe edhe në mëngjesin e sotëm.

Ngjashëm sikurse gjatë ditës së djeshme në Leposaviq situata është e qetë ndërsa komuna vazhdon të qëndroj e blinduar nga pengesat që ka vendosur KFOR-i në orët e hershme të mëngjesit.

10:23 – MPB-ja dhe KFOR-i mohojnë se është arritur marrëveshje mes KFOR-it dhe protestuesve

Mediat sot kanë raportuar se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka arritur një marrëveshje me protestuesit për tërheqje të trupave dhe lirim të burgosurve që u arrestuan dje si të dyshuar për sulmet në Zveçan.

Por nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës si dhe nga misioni i KFOR-it e kanë mohuar një gjë të tillë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi për KALLXO.com ka demantuar lajmin teksa tha se nuk ka ndonjë marrëveshje mes KFOR-it dhe protestuesve, dhe se informacioni për tërheqjen e trupave dhe lirimin e të burgosurve nuk është i vërtetë.

“Lajmi për arritjen e marrëveshjes mes KFOR-it dhe protestuesve, nuk qëndron. Nuk ka marrëveshje të tillë. Çfarëdo marrëveshje  që flet se është arritur mes KFOR-it dhe protestuesve tërheqjen e trupave dhe lirimin e të burgosurve nuk është i vërtetë dhe nuk qëndron”- ka deklaruar Fetoshi për KALLXO.com.

Ndërkaq me një bisedë me KALLXO.com, Andera Galienu zëdhënës në KFOR, ka mohuar të ketë pasur ndonjë marrëveshje por as edhe takim për të diskutuar këtë çështje.

“Jo KFOR-i nuk ka pasur ndonjë takim me Listën Serbe”- ka deklaruar Galienu.

KFOR-i në veri
30 maj 2023

10:04 – RTV Dukagjini: Flamuri i Kosovës zhvendoset një kat më lart në Komunën e Zubin Potokut

Sipas raportimeve të RTV Dukagjinit, flamuri i Kosovës i cili ishte vendosur në Komunën e Zubin Potokut është zhvendosur në një ballkon të katit të dytë.

Në një video të publikuar nga kjo media, shihen disa zyrtarë policorë që asistojnë në zhvendosjen e flamurit.

Ky veprim është bërë në mënyrë që protestuesit mos ta arrijnë. 

Më 26 maj ishte larguar flamuri i Serbisë në objektin e Komunës në Zubin Potokut duke u zëvendësuar me atë të Kosovës.

10:10  KFOR-i vazhdon të qëndrojë me ekipe të shtuara në terren në veri

Situata e tensionuar gjatë ditës së djeshme në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok ka bërë që KFOR-i, misioni paqeruajtës në Kosovë të shtoj forcat ushtarake në këto zona.

Ekipi i KALLXO.com që po raporton nga terreni ka parë se ekipet e shtuara të KFOR janë parë fillimisht në afërsi të fshatit Rudar në Zveçan.

Dhjetëra makina të KFOR-it të blinduara duke përfshirë edhe automjetet për trajtim mjekësor janë parë gjatë magjistrales Zveçan- Leposaviq.

Pak metra më tutje janë parë edhe veturat e policisë së Kosovës.

Ekipe të shumta të Policisë janë vendosur në lokacione e pika të ndryshme pasi janë angazhuar për të ofruar rend dhe siguri pas situatës se tensionuar në veri të Kosovës.

E gjitha nisi të premten e javës së kaluar kur kryetarët e zgjedhur për të udhëhequr komunat Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq hynë brenda objekteve të komunës për të nisur punën e tyre.

Kjo tensionoi situatën pasi që pati protesta për të kundërshtuar hyrjen e tyre në këto objekte.

10:00 – KFOR-i konfirmon se është sulmuar me armë zjarri

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR njofton se numri i të plagosurve ushtarë nga ngjarjet e djeshme në Zveçan, ka shkuar në 30.

KFOR thotë se lëndimet e ushtarëve nuk janë të rrezikshme për jetën.

KFOR ka konfirmuar se se është sulmuar me armë zjarri.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së paprovokuar të djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”- thuhet mes tjerash në komunikatën e KFOR-it.

09:57 – Veturat e Koha.net dhe Televizionit 7 demolohen gjatë natës në Zveçan

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se vetura e ekipeve të KOHËS dhe T7 që kanë raportuar dje nga Zveçani, janë gjetur mëngjesin e sotëm të demoluara.

Në këto makina janë gjetur xhama të thyer, goma të shpërthyera dhe simbole nacionaliste.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar me pamjet e dhëna nga këto dy mediume.

 

09:18 – Zhvillimet në veri, anulohet aktiviteti në ‘Defender Europe ‘23’

Tensionet dhe situata në veri të vendit ka bërë që të anulohen aktiviteti i paraparë për sot, “Dita e Vizitorëve” në kuadër të ushtrimit ushtarak “Defender Europe ‘23”.

Kështu ka njoftuar përmes një komunikate për media, Ministria e Mbrojtjes.

“Ju njoftojmë se për shkak të situatës në veri të vendit, aktiviteti i paraparë për sot (DV DAY), në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, anulohet” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes pa dhënë ndonjë detaj tjetër.

09:02 – Kongresisti amerikan pyet sekretarin Blinken: Pse hesht për provokimet e Serbisë?

Kongresisti amerikan Ritchie Torres ka reaguar pas situatës së krijuar dje në veri të Kosovës, ku si pasojë e protestave të dhunshme, u lënduan 25 pjesëtarë të NATO-s.

Torres ka thënë se ata pjesëtarë u plagosën nga përfaqësuesit e qeverisë serbe teksa ka pyetur sekretarin amerikan të shtetit, Anthony Blinken “pse po dënon në mënyrë të njëanshme Kosovën dhe po hesht ndaj provokimeve të Serbisë.

“25 pjesëtarë të NATO-s janë plagosur nga përfaqësuesit e qeverisë serbe. Pse Sekretari Blinken po e dënon në mënyrë të njëanshme Kosovën, aleate të ngushtë të SHBA-së, ndërkohë që hesht për provokimet e Serbisë, aleate e ngushtë e Rusisë? SHBA duhet të qëndrojë me Kosovën”- ka shkruar Torres në Twtter.

08:57 – Reagimi i Bashkimit Evropian 

Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell ka thënë se dënon dhunën në Zveçan në termat më të ashpër të mundshëm.

Sipas tij, veprat e dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, mediave, civilëve dhe policisë janë të papranueshme.

“BE-ja dënon dhunën tronditëse të sotme në Zveçan në termat më të ashpër të mundshëm. Veprat e dhunshme të kryera ndaj trupave të KFOR-it, mediave, civilëve dhe policisë janë absolutisht të papranueshme” – ka shkruar Borrell në Twitter.