Foto: FSK

Mehaj: FSK e gatshme të mbështesë Austrinë pas situatës me përmbytjet

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se ka shprehur gatishmërine e Forcës së Sigurisë së Kosovës që t’i dalë në ndihmë Austrisë pas situatës së krijuar me përmbytjet.

Mehaj ka shkruar në Facebook se këtë gatishmëri ia ka shprehur përmes një letre zyrtare ambasadorit të Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

“Pas Gjermanisë, Belgjikës, Holandës e Luksemburgut, sot nga përmbytjet ka pësuar edhe Austria. Me përgjegjësinë më të madhe, me letër zyrtare ju kam drejtuar ambasadorit austriak në Kosovë, z.Weidinger, ku shpreha vullnetin e plotë për mbështetjen e autoriteteve austriake me kapacitetet tona operacionale të specializuara të FSK-së në dispozicion, për menaxhimin e situatave të ngjashme”, ka shkruar ministri.

Mehaj ka shtuar se “Maksima jonë tradicionale ‘Miku i mirë në ditë të vështirë’ ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë vlerë e natyrshme e popullit dhe shtetit tonë”.