Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Mediat malazeze: Kosova ushtron padi, kërkon një pronë në bregdetin e Malit të Zi

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka paditur Komunën e Budvës në Mal të Zi dhe kompaninë ‘Sunraf Beach Properties” duke kërkuar kthimin e rreth 4, 500 metrave katrorë tokë në shëtitoren Rafailoviq, ku ishte dikur vendpushimorja për fëmijë, shkruan Vjesti.

Në këtë padi thuhet se pushimorja me emrin “Ganimete Tërbeshi” ishte blerë 6 dekada më parë.

Padia për të drejtën pronësore për cilën thuhet se e ka parë “Vjesti” në Mal të Zi,  është paraqitur në Gjykatën Themelore të Kotorrit.

Ministria, sipas “Vjestit”, ka kërkuar nga Gjykata e Kotorrit të lëshojë një masë të përkohshme që ndalon tjetërsimin e tokës deri në përfundimin e kësaj lëndë në gjykatë.

Në këtë parcelë është duke u ndërtuar një kompleks shumëkatësh.

Pas luftës në 1999, selia e ndërmarrjes nga Prishtina u zhvendos në Malin e Zi dhe më pas u privatizua ose u shit. Ndërtesa e rrënuar e ish-vendpushimit u shkatërrua dhe filloi ndërtimi i një ndërtese shumëkatëshe.

Padia thotë se Kosova është pronare e kësaj toke dhe si provë i ka bashkangjitur një marrëveshje të blerjes të lidhur më 22 mars 1961 në Gjykatën e Qarkut në Kotorr, ku parcelën prej 4 mijë e 555 metra katrorë e kishte blerë Këshilli Social për Çështjet Politike dhe Sociale, të ish-krahinës autonome të Kosovës.

Por Komuna e Budvës e ka kundërshtuar këtë padi duke kërkuar hedhjen e saj nga gjykata si të pabazë.

Komuna e Kotorrit është e mendimit se pretendimi nuk ka asnjë bazë ligjore në Rregulloren e UNMIK-ut mbi Fuqitë e Administratës së Përkohshme në Kosovë nga qershori 1999, as në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, të cilës Republika e Kosovës iu referua në padi.

Sipas “Vjestit”, Qeveria e Kosovës po kërkon kthimin e 172 pronave në ish-republikat e Jugosllavisë, nga të cilat të paktën 42 prej tyre gjenden në Mal të Zi.

Njëra prej tyre është edhe kërkesa që është bërë përmes AKP-së për kthimin e rreth 33 mijë metrave katrorë tokë në Gjirin e Kamenovës.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Ministria e Drejtësisë në lidhje me këtë padi dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.