Shiriti i Policisë së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Më shumë se 12 orë nga vrasja në Prizren, i dyshuari ende në arrati

Një burrë 48-vjeçar, Beqir Morina dyshohet se është vrarë mbrëmë në Prizren, nga i dyshuari, Aziz Gashi që më pas iku nga vendi i ngjarjes.

I dyshuari vazhdon të jetë në arrati edhe sot, më shumë se 12 orë nga ndodhja e rastit.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se i dyshuari Gashi, me prejardhje nga fshati Sferkë i Komunës së Klinës jetonte në lagjen e njëjtë me viktimën.

Tutje siç tregojnë burime të KALLXO.com, të dhënat e para nga raportet policore flasin se viktima ishte në prani të dy familjarëve të tij kur u gjuajt drejt të njëjtit me armë automatike.

Dy familjarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime ndërsa 48-vjeçari ka vdekur.

Në raportin e sotëm 24-orësh policor është thënë se deri më tani PK ka kryer disa bastisje në disa lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit.

Personi që po kërkohet nga policia për këtë rast, dyshohet se kreu krimin e më pas u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë edhe armën që përdori me vete.

Tutje është thënë se me vendim të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se ngjarja u regjistrua rreth orës 19:00 ndërsa ekipi i emergjencës ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Policia dhe ekipet e tjera kanë dal në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat që quan deri në vrasjen e viktimës, përderisa në vendngjarje ka dal edhe prokurori i rastit. Më shumë se 12 orë nga vrasja në Prizren, i dyshuari ende në arrati.