QKMF në Ferizaj - Foto: Facebook/KomunaeFerizajt

Më pak se 50 mjekë në qendrat mjekësore në Ferizaj

35 mjekë familjarë dhe 14 mjekë të përgjithshëm janë në të gjitha institucionet shëndetësore primare në Komunën e Ferizajt.

Por ky numër vlerësohet si i pamjaftueshëm sipas drejtoreshës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Nadire Ymeri.

“Kemi nevojë për mjekë ende nuk është numri taman i plotësuar sa është i nevojshëm në bazë të numrit të banorëve”, tregon ajo për KALLXO.com.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në këtë komunë, Kemajl Emini, ka deklaruar se vazhdimisht kanë bërë kërkesë në Ministri të Shëndetësisë për të rritur numrin e profesionistëve shëndetësorë por se asnjëherë nuk kanë lejuar të rritet stafi shëndetësor.

Rritjen e stafit shëndetësor ai e cilëson shumë të domosdoshme në mënyrë që të ofrohen shërbime të mirëfillta shëndetësore.

“Do të ushtrojmë kërkesa prapë në Ministrinë e Shëndetësisë që do të na mundesojë apo lejojë rritjen e numrit të punëtorëve shëndetësorë, që kjo do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore komfor konceptit të mjekësisë familjare”, thotë ai duke theksuar se rritja e stafit shëndetësor është qëllimi i Drejtorisë së Shëndetësisë për vitin 2022.

Komuna e Ferizajt ka 308 punëtorë shëndetësorë, përderisa rreth 500 punëtorë të tjerë shëndetësorë, janë në kuadër të organizatës joqeveritare “Caritas” për të cilët KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar se këta punëtorë kanë vonesa në paga.

Mungesa e mjekëve në kujdesin primar është i theksuar edhe në disa komuna të tjera. Në një situatë të ngjashme është edhe Komuna e Skenderajt.

Nga shkurt në vitin e kaluar 19 mjekë kanë lënë punën në QKMF në Skenderaj, e si rrjedhojë në këtë institucion janë të angazhuar vetëm 17 mjekë, katër prej tyre në kuadër të shërbimeve mbështetëse – dy pediatër, një biokimist dhe një radiolog.

Drejtori i QKMF-së në Komunën e Skenderajt, Osmani Veliu, në një deklaratë për KALLXO.com pati thënë se kjo qendër ka nevojë për 25 mjekë familjarë.

Madje me mungesë të personelit shëndetësor është duke u ballafaqur edhe kryeqyteti.

Shkaktarë për mungesë të mjekëve nëpër qendrat e shëndetit primar është cilësuar edhe hapja e specializimeve në vitin 2021 pas për shkak se mjekët të cilët punonin në këto qendra u detyruan të fillojnë specializimin, kështu duke u larguar nga vendi i punës.

Kosova ka rreth 4 mijë mjekë të licencuar. Mosha mesatare e mjekëve familjarë është 57 vjeç përderisa mosha mesatare e mjekëve specialistë ështe 53 vjeç.

Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, në shtatë spitalet rajonale në vend janë 661 mjekë specialistë ndërsa në QKUK janë 768 mjekë specialistë.