QKMF në Skenderaj Foto: Komuna e Skenderajt

Ikja e mjekëve krijon nevoja emergjente në QKMF-në e Skenderajt

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Skenderaj është krijuar nevojë emergjente për mjekë, për shkak të rënies së theksuar të numrit të tyre si pasojë e migrimit të brendshëm e atij të jashtëm.

Që nga shkurti i vitit që lamë pas janë 19 mjekë që e kanë lënë punën në QKMF, e si rrjedhojë në këtë institucion janë të angazhuar vetëm 17 mjekë, katër prej tyre në kuadër të shërbimeve mbështetëse – 2 pediatër, 1 biokimist dhe 1 radiolog.

Sipas drejtorit të QKMF-së, Osman Veliu, krahas numrit të popullsisë së komunës së Skenderaj, nevojat për shërbime janë rritur ndërsa stafi profesional i kualifikuar ka mungesa të mëdha.

Ai thekson se kanë nevojë për 25 mjekë familjarë pasi shërbime të mjekësisë familjare janë duke ofruar vetëm 11 mjekë, prej tyre vetëm 4 mjekë familjarë.

“QKMF Skenderaj për momentin ka nevoja emergjente për mjekë në kujdesin familjar dhe atë emergjent. Sipas planit tonë të punës, nevojat tona do të përmbusheshin me 15 specialistë të mjekësisë familjare dhe 5 specialistë të kujdesit emergjent. Në mungesë të tyre do të kryenin punë edhe doktorë të mjekësisë. Duke u nisur nga fakti së kujdesi parësor shëndetësor në Kosovë që nga fillimi është neglizhuar, shpresat për të përmirësuar gjendjen në një të afërme të shkurtër duken joreale. Për nevojat e QKMF-së për momentin janë 6 në specializim: 5 në mjekësinë familjare dhe 1 në pediatri”, u shpreh ai.

“Është një situatë e re që ka ekzagjeruar sidomos pas ndarjes së shpejtë, të pakontrolluar dhe të paplanifikuar të specializimeve për ma shumë se 1,500 mjekë në Kosovë nga ana e Ministrisë se Shëndetësisë. Kjo ishte një goditje e papritur dhe shumë e fuqishme në kujdesin parësor shëndetësor e në veçanti për komunën tonë. Shumë shërbime janë duke u rishikuar dhe reduktuar. Për më shumë së 52,000 banorë të komunës, nevojat për shërbime janë të rritura ndërsa stafi profesional i kualifikuar (mjekë) në mungesa të mëdha. Për momentin Komuna e Skenderajt ka nevojë për 25 mjekë familjarë a shërbime të mjekësisë familjare janë duke ofruar vetëm 11 mjekë, prej tyre vetem 4 mjekë familjarë”, thotë Veliu.

Veliu për KALLXO.com thotë se mjekët po largohen për shkak të neglizhimit të kujdesit parësor shëndetësor nga Qeveria e Kosovës, paga të ulta dhe kushte të tjera.

“Mjekët po largohen në radhë të parë për shkak të neglizhimit të kujdesit parësor shëndetësor nga Qeveria e Kosovës, mundësive të kufizuara për t’u zhvilluar në aspektin personal dhe profesional, pagat e ulëta, moskompenzimi i duhur i punës jashtë orarit, festave, kujdestarive etj, mossigurimi i transportit deri në vendin e punës në terren e shumë rrethana tjera. Politikat shëndetësore në drejtim të kujdesit parësor shëndetësor kanë qenë rigjide dhe aspak joshëse për mjekët e rinj që të pranojnë mjekësinë familjare si opsion. Në shumicën e komunave, mosha mesatare e mjekëve familjar është mbi 57 vjet”, thotë Veliu.

“Problem paraqet edhe aplikimi i mjekëve të cilët kanë përfituar specializime me vetëfinancim, që për mendimin tonë, punësimi i tyre përveç që është jorentabil dhe johuman është edhe në kundërshtim me ligjin e punës, sepse një mjek i tillë do të duhej të mbante dyfishin e orëve të punës, çka edhe është e pamundur, prandaj kjo është edhe pengesë në rrugën e rekrutimit të stafit i cili do të ishte i gatshëm për punë dhe në të cilin do të mund të llogaritnim 100%. Të tillë i kemi tre për momentin, por është vështirë të mbahen sepse pas një punë 24-orëshe në QKUK, është vështirë për një mjek të vazhdojë punën normale shpesh edhe me 12 orë tjera në QKMF”, shton ai.

Më tutje ai u shpreh se janë duke bërë përpjekje për të kompensuar largimin e mjekëve duke gjurmuar për mjekë të rinj.

Ai paralajmëroi se janë në procedurë e sipër për rekrutimin e tre mjekëve të rinj me procedura të shpejta.

“Ne jemi duke bërë përpjekje për të kompensuar largimin e mjekëve duke gjurmuar për mjek të rinj. Për momentin jemi në procedurë e sipër për rekrutimin e tre mjekëve të rinj me procedura të shpejta , ndërsa brenda muajit do të shpallet edhe një konkurs tjetër për tre mjek tjerë. Momentalisht, pothuajse të gjitha QKMF të Kosovës përballen me të njëjtat probleme. Prandaj me një pagë rreth 500 Euro për një mjek të ri është e pamundur të joshësh mjekë nga komunat tjera, aq ma parë kur shpenzimet e udhëtimit dhe as përfitime tjera për të joshuar ata nuk mund të realizohen”, u shpreh ai.

Në anën tjetër përveç mjekëve, kjo Qendër tash e disa muaj e ka të pafunksionalizuar repartin e gjinekologjisë, për shkak të mungesës së gjinekologëve.

Lidhur më këtë, drejtori Veliu thotë se mjekët gjinekologë nuk kanë shfaqur interes për të punuar në QKMF.

“Një mjek gjinekolog nga QKMF Skenderaj që është në pritje të përfundimit të specializimit në gjinekologji, deri tash nuk ka arritë të kryejë provimin e specializimit për shkak të pamundësisë për t’u organizuar provimi specialistik nga klinika ( për shkak të COVID-19). Mjekët gjinekologë tjerë me të cilët kemi biseduar nuk kanë shfaqur interes për të punuar në QKMF ose do të punonin në kushte që nuk janë të rregulluara me ligj, për çka ne nuk mund ta bëjmë pasi që ka pengesa ligjore. Ne patëm kërkuar një vend për specializimin në gjinekologji, gjë që ishte pranuar por komisioni nuk e ka kualifikuar kandidatin nga komuna e jonë për shkaqe që nuk na janë të njohura, sigurisht kanë qenë në pyetje kriteret e përcaktuara apo diçka tjetër”, u shpreh Veliu.

Komuna e Skenderajt para disa ditësh ka hapur konkurs për pranimin e dy doktorëve të mjekësisë për QKMF.

Procedurat janë duke u zhvilluar përmes e-prokurimit.

Anipse sipas rregullave për prokurim të shërbimeve të veçanta, konsulenti apo kontraktori individual është një specialist në një fushë specifike, i angazhuar nga autoriteti kontraktues në rolin e një këshilluesi, si rrjedhojë doktorët nuk llogariten si këshillues.

Në anën tjetër kujtojmë së çështja e mungesës se mjekëve në QKMF-në Skenderaj ka qenë e ngritur edhe në debatin “Jeta në Komunë” në muajin tetor.

Aso kohe, kryetari i Komunës, Bekim Jashari, deklaroi se po e ka të vështirë që të rrisë numrin e mjekëve familjarë pasi që siç thotë ai, po largohen për pagë më të mirë.

“Mjekët s’mun i prodhoj vetë. Çka varet nga ana ime unë kam kriju kushte dhe rregull. Unë nuk mundem më i shti me zor, hajde bonu mjek në Skenderaj, mos rri në Prishtinë. Ata krejt po kanë qejf me ardhë në Prishtinë edhe me dalë jashtë Kosovës krejt se po paguhen më mirë”, kishte thënë ai më 5 tetor.