FSK - Foto: Atdhe Mulla

Më 18 mars fillon testimi i Inteligjencës për rekrutët e FSK-së

Ministria e Mbrojtjes dhe Sigurisë, ka njoftuar kandidatët që kanë kaluar testin fizik për rekrut, se testi i Inteligjencës dhe Njohurive të Përgjithshme do të mbahet më 18 dhe 19 mars 2021.

Ministria ka bërë të ditur se testimi do të mbahet në 5 kazerma të qyteteve të ndryshme.

Ministria e Mbrojtjes njofton kandidatët për rekrut (OR-1) në Forcën e Sigurisë së Kosovës, se Bordi Përzgjedhës ka vendosur që testi i Inteligjencës dhe Njohurive të Përgjithshme të mbahet me datë 18.03.2021 dhe 19.03.2021 në pesë (5) kazermat e FSK-së si në vijim; Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, Kazerma “Skënderbeu” në Ferizaj, Kazerma “Ushtarët e Nato-së” në Istog, Kazerma “Minatori” në Mitrovicë, Kazerma “New Born” në Gjilan”, është bërë e ditur në njoftim për media.

Tutje Ministria ka ftuar kandidatët që në ditën e testimit të kenë me vete fletë dëshminë e aplikimit (numri unifikues personal), letërnjoftimin ose pasaportën si dokument identifikimi.

Po ashtu, kandidatët  duhet të paraqiten 15 minuta para kohës së orarit të publikuar; kandidatët duhet të kenë maska mbrojtëse kundër COVID 19 si dhe kandidatëve gjatë testimit nuk ju lejohen telefonat, orët e mençura, kalkulatorët dhe çdo pajisje tjetër digjitale.

Orari është i caktuar për secilin kandidat sipas grupit dhe mund të klikoni në këtë link për të mësuar orarin.